PJESA E DYTË
1. Ardhja e muajit të dashur
2. Ramazani, muaji i të vërtetës
3. Ramazani, muaji i fuqisë
4. Ramazani, muaji i lirisë
5. Filozofia dhe sekretet e agjërimit
6. Ramazani, muaji i mirëbërjes
7. Ndikimi i adhurimit (ibadetit) në edukimin e popullit
8. Institucioni i zekatit
9. Ramazani flet
10. Lamtumira e Ramazanit
11. Filozofia e Bajramit
ARDHJA E MUAJIT TË DASHUR
Jemi para një kohe të re të gjithësisë ngase
pas disa ditëve do të vjen Ramazani me rregullimin, format dhe
atmosferën e vet. Njerëzit ndaj këtij muaji kanë disa
qëndrime:
1. Ka njerëz që nuk shohin në të gjë tjetër
pos ndalesës së padobishme, traditës së paarsyeshme
fetare. Qytetërimi u zhvillua dhe mendimi njerëzor përparoi
kështu që, sipas mendimit të tyre, këto pranga të
rënda fetare janë të panevojshme. Ky grup tallet me agjëruesit
dhe shpotit mendjen dhe qëndrimin e tyre.
2. Ka njerëz që e kuptojnë vetëm si uri të
cilës nuk mund t'i përballojë lukthi dhe si etshmëri
të cilës nuk mund t'i përballojnë damarët. Ky
grup nuk agjëron, paraqitet si agjërues para atij që e njeh
kurse si joagjërues para atij që nuk e njeh.
3. Ky grup mendon se Ramazani është kohë e dëfrimit
vjetor që përbëhet prej llojeve të ndryshme të
ushqimit si dhe si rast i bukur për dëfrim deri në agimin
e mëngjesit dhe për gjumë të thellë tërë
ditën deri në mbrëmje.
Nëse është punëtor i mërzitet puna, nëse
punon me palë sillet keq me to, e nëse është funksionar
funksioni i duket shumë i rëndë...
4. Sipas këtij grupi, edhe pse janë pakicë, qëllimi
i Ramazanit është diç krejt tjetër sepse ka vlerë
të madhe... Ky grup mendon se ky muaj është periudha ushtruese
e ripërtërirjes shpirtërore të njerëzve si sjellja
fisnike, përshtypja e bukur, durimi i pastër dhe edukata e përsosur
hyjnore.
Për ata të cilët mendojnë se agjërimi nuk
përkon me zhvillimin e qytetërimit, propozojmë të bisedojnë
me mjekët dhe psikologët që t'i shohin zbulimet e reja shkencore
që kanë të bëjnë me dobitë e agjërimit.
Atyre të cilët dështojnë para urisë, edhe
pse e pranojnë obligimin dhe hyjninë e agjërimit, ua rikujtojmë
se jetojmë në zemër të luftës definitive në
historinë e këtij populli, kurse agjërimi është
vetëm durim disaorësh dhe ai që dështon mes agjërimit
dhe epshit të vet në durimin që zgjatë gjatë orëve
të ditës, atëherë do të dështojë edhe
para armiqve të tij në rast të luftës së tmerrshme
që zgjatë me ditë, muaj e vite të tëra.
Të dështuarit në një mejdan të vogël
nuk janë të aftë të fitojnë për popullin
e tyre në ndonjë konflikt më të madh.
Ai që dorëzohet në luftën disaorëshe me epshin
e vet, e humbë karakteristikën kryesore të moralit të
luftëtarëve, gjegjësisht burrërinë, ndërsa
ai që jeton në sferën e burrërisë del ngadhënjimtar
ose dëshmor.
Ka një grup që e kuptojnë Ramazanin si uri gjatë
ditës dhe kënaqësi materiale gjatë natës...
Masës së agjëruesve muslimanë ia kushtojmë
këtë ngjarje dhe dëshirojmë që Zoti t'u jep dobi
nga agjërimi e t'i shpërblejë me të mira.
Si popujt, ashtu edhe individët, gjatë jetës së
tyre të gjatë kanë nevojë për pushim dhe rehati
përmirësuese e ripërtërirëse. Koha e pushimit
dhe e qetësimit është pjesë e rasteve definitive në
historinë e individëve dhe shoqërive dhe nëse dinë
si ta shfrytëzojnë, fitojnë çelësin e të
mirave të ardhshme, fitoreve në luftëra dhe përhershmërinë
historike. Shoqëritë dhe individët gjejnë në Ramazan
rastin e reformës së historisë së tyre ngase ai prezenton
periudhën shpirtërore.
Ramazani është epiqendër për përforcimin e
fuqive shpirtërore, psikike e morale në jetën e popullit
apo të individit... Ky na rikujton të vërtetën e qiejve
dhe të tokës, na armatosë me fuqi ngadhënjyese dhe
na nxitë ta duam lirinë, prej së cilës varet nderi
i njerëzimit. Pra, Ramazani na dhuron "të vërtetën",
"fuqinë" dhe "lirinë" gjatë ditëve të urisë
dhe etjes... Çdokush që e kupton urtësinë dhe filozofinë
e agjërimit, lufton për hir të vërtetës me bindje
të plotë, ngadhënjen dhe përfiton qëllimin më
fisnik të lirisë, gjegjësisht refuzon nënshtrimin dhe
robërinë.
Muslimani, i cili agjëron me vullnet të lirë e bindje
të plotë për hir të Zotit e afrimit ndaj Tij, vuan
nga egoizmi, izolimi dhe indiferenca e shoqërisë dhe kështu
orvatet t'i zhdukë e t'i eliminojë; ky musliman agjërues
mendon se epshi, pasioni, dëmi, armiqësia dhe urrejtja janë
dobësi që e shkatërrojnë shpirtin e Ummetit dhe për
këtë shkak ndien në vete përgjegjësi e obligim
për t'u përballuar. Gjatë lutjeve dhe aplikimit të
urdhërave të Zotit, ai ndien liri të plotë dhe pavarësi
nga çdo gjë tjetër pos Tij, si ushqimi, pirja, kënaqësia,
ambicia dhe gënjeshtra. Ai në këtë rast është
përgjithmonë i lirë, jo në kuptimin e transferimit
prej një vendi në vend tjetër, por në frenimin e epsheve
dhe animeve të tij, fundos çka don dhe liron çka don.
Ai kështu qëndron shpirtlirë mes mureve, mendjelirë
në vend të shkretë dhe dëshirëlirë në
pranga të hekurta...
Pasha jetën time, kjo liri i takon nderit të njeriut, pra
si mund të krahasohet me lirinë e trupave!
Historia jonë e vjetër dhe ajo bashkëkohore kanë
shënuar fitore të mëdha në bazë të këtij
koncepti preciz të filozofisë së Ramazanit dhe të modelimit
të plotë me edukatën e agjërimit, gjegjësisht
në këtë mënyrë i kemi dhuruar botës njerëzore
heronj dhe kreshnikë të reformave, çlirimeve, urtësive,
shkencës etj...
Shikoni muslimanët, të cilët në betejën e
Bedrit që u zhvillua në ditën e shtatëmbëdhjetë
të Ramazanit, edhe pse ishin pakicë, korrën fitore të
bindshme, të cilën e amshoi Kur'ani Famëlartë...
A mendoni se do të korrnin sukses sikur të mos i kishte përforcuar
agjërimi në shpirtrat e tyre fuqinë, të vërtetën
dhe lirinë e plotë shpirtërore.
Ata sulmonin me fuqinë e Zotit, qëllonin me fuqinë e
Zotit, sulmi i tyre kishte për qëllim të vërtetën.
Pastaj shikoni fitoret tona në betejat e Jermukut, Kadisijes,
Xhelules, Hit-tinit etj...! A do të mund të ndodhnin në
atë mënyrë mahnitëse, që i habitnin edhe hulumtuesit
më të mëdhenj, sikur të mos ishin fituar me karakteristikat
e agjëruesve si ndershmëria, krenaria, sakrifikimi, durimi ndaj
vështirësive, nënshtrimi para Zotit dhe zhvlerësimi
i fuqive destruktive? E gjithë kjo ndodhi me fuqinë e Zotit xh.sh.
sepse Ai është ngadhënjyesi më i madh!
T'i shikojmë betejat tona moderne në malet e Oresit, eventualisht
trimëritë dhe mrekullitë e Algjerit...! A i shihni ata të
cilët luftonin kundër gjysëm milion njerëzve që
ishin të armatosur me armë nga Franca, Amerika dhe shtetet e
Paktit Atlantik? Jo vetëm atëherë por ende qëndrojnë
në revolucionin e tyre edhe pse kaluan 900 ditë Ata e sulmonin
armikun e armatosur dhe ushtritë e mëdha me kryelartësi...
A thua vallë do të qëndronin në atë betejë
të madhe, qoftë edhe disa ditë sikur të ishin të
formuar me shpirtrat e pabesimtarëve që tallen me agjërimin
e muslimanëve apo me shpirtrat e të dështuarve që jetojnë
nëpër bare e kafene të mbushura me alkool e që s'mund
t'i përballojnë urisë dhe etjes disaorëshe?
Jo vëllezër, sepse Islami i ka mësuar me anë të
agjërimit në kohën e paqes si të agjërojnë
në ditët e luftës... Në luftë nuk e fiton i dobëti
të fortin, pakica shumicën, i paarmatosuri të armatosurin
përpos nëse është i kalitur me moralin e agjëruesve...
Heronjtë e maleve Ores, Konstantinës dhe Vehranit të
Algjerit kanë agjëruar më parë dhe janë përgatitur
që me agjërim të luftojnë; agjërojnë (të
larguar) nga pushimi dhe nuk dinë se ç'është qetësia
e as stabiliteti...; agjërojnë (të larguar) nga kënaqësia
dhe nuk dinë kënaqësinë e gruas e as të fëmijës,
agjërojnë nga luksi dhe nuk përjetojnë kënaqësinë
e mëndafshit e as të armaçit; agjërojnë nga
gjumi dhe nuk dallojnë ditën prej natës; agjërojnë
nga dashuria e kësaj bote sepse gjëja më e kënaqshme
për ta është shija e vdekjes dhe e flijimit.
Francezët thonë se janë lodhur prej trimërisë
së algjerianëve: Kush janë ata, a janë xhinë,
djaj apo njerëz të krijuar me zemër të hekurt e nuk
e njohin frikën, tmerrin, shkatërrimin dhe zjarrin?
Vaj për kolonialistët që nuk e kuptojnë shkakun
e disfatës nga revolucionarët agjërues... Këtu qëndron
fshehtësia (e fitores së revolucionarëve), o ju njerëz,
sepse francezët, që janë të preokupuar me ushqimin
e pijen, nuk mund të korrin fitore ndaj agjëruesve ngadhënjimtarë
e që janë të preokupuar me Zotin e Fuqishëm si dhe
të udhëzuar me zemër të pastër ndriçuese.
Pastaj, Ramazani vjen pas disa ditëve... Ata që e trajtojnë
si muaj i urisë së ditës, ngopjes së natës dhe
leximit formal të Kur'anit dhe fjetjes ditore nëpër xhami,
nuk do të kenë kurrfarë dobie prej tij.
Ata që e konsiderojnë si shkollë për përtërirjen
e besimit (imanit, bindjes), dhe edukatës, përforcimin e shpirtit
dhe vazhdimin e një jete më të mirë e më të
përkryer, do të kenë dobi prej tij... Vetëm këta
njerëz gjejnë gjatë ditës së tij (Ramazanit) kënaqësinë
e trimave të mbuluar me pluhurin e luftërave, kurse gjatë
mbrëmjes, natës, syfyrit dhe mëngjesit ndiejnë kënaqësinë
e fundit të betejës, shpejtojnë...
Këtyre u hapen dyert e parajsës (xhennetit) në Ramazan,
u mbyllen dyert e skëterrës, pranojnë prej engjëjve
(meleqve) në Natën e Kadrit uratë dhe paqe, u falen mëkatet
e të këqijat, u mbushen zemrat me dritën e Zotit dhe e përtërijnë
famën me fuqinë e besimit (imanit)...
Me ta fitohen luftërat, gëzohen shoqëritë... Nevoja
jonë për njerëz të tillë është shumë
e madhe sepse sot ballafaqohemi me kolonializëm, gjëra destruktive,
korrupsion dhe devijim; të jetojmë ose kryeulur ose kryelartë...
O besimtarë!
O bijtë e këtij Ummeti!
Muhammedi a.s. ligjëroi në ditën e fundit të Muajit
Sha'ban (apo si në këto ditë) kështu: "O ju njerëz,
është afruar muaji famëlartë dhe i begatshëm,
në të cilin është nata që vlerësohet më
tepër se një mijë muaj, në të cilin obligohen
agjërimi dhe lutja (namazi) vullnetare natën (nafile); kush vepron
pak fiton shumë dhe ai që kryen një farz në të
sikur ka kryer shtatëdhjetë farze në një kohë
tjetër; ky është muaji i durimit kurse durimi shpërblehet
me xhennet; ky është muaji i barazisë dhe i shtimit të
furnizimit (rizkut) të besimtarit; ai që ushqen ndonjë agjërues
i falen mëkatet, shpëton nga zjarri dhe nuk i pakësohet
shpërblimi fare".
Njerëzit i thanë: "O i Dërguar i Zotit, nuk mundet çdokush
prej nesh të ushqejë ndonjë agjërues", kurse ai (a.s.)
u përgjigj: "Zoti e shpërblen kështu atë që ushqen
ndonjë agjërues me hurmë, ujë ose qumësht."
Fillimi i këtij muaji është mëshirë, mesi
falje (ndjesë) kurse fundi shpëtim nga zjarri. Atë që
jep nga pasuria e vet, Zoti e mëshiron dhe e shpëton nga zjarri.
Shtoni (në këtë muaj) katër gjëra: me dy fitoni
pëlqimin e Zotit kurse me dy të tjerat jeni të obliguar;
dy të parat janë: Deklarimi se nuk ka zot tjetër pos All-llahut
dhe kërkimi për faljen (e mëkateve), kurse dy të fundit
janë: kërkoni prej Zotit parajsën (xhennetin) dhe mbështetuni
në mbrojtjen e Tij nga zjarri; kush i jep ujë agjëruesit,
Zoti i jep atij prej lumit tim dhe nuk ndien etje derisa të hyjë
në parajsë (xhennet). (Ibn Huzejme).
Në një hadith tjetër thuhet: "U erdhi Ramazani, muaji
i begatisë; me të Zoti ju kaplon, ju zbrit mëshirë,
i mbulon gabimet, i përgjigjet lutjes, shikon garat tuaja në
te; Tregoni Zotit mirësinë tuaj. I mallkuari privohet nga mëshira
e Zotit të Madhëruar." (Taberani).
Këtë e thoshte i Dërguari i Zotit para Ramazanit, i
nxiste besimtarët në lutje e adhurim, i mbushte zemrat e tyre
me begatitë dhe mëshirat që dërgoheshin ato ditë
dhe i frymëzonte shpirtrat me të mirat e agjërimit si fuqia,
ndriçimi, hyjnimi etj.
Përgatituni për Muajin e Ramazanit, edukohuni me edukatën
e tij dhe fitoni dobi prej urtësisë dhe fshehtësive të
tij.
Eni o besimtarë, sepse janë hapur dyert e parajsës!
O ju që keni bërë lëshime, ejani, sepse Zoti ua ka
ofruar mëshirën e Vet!
RAMAZANI, MUAJI I TË VËRTETËS
"E populli yt e konsideroi atë (Kur'anin) të rremë,
porse ai (Kur'ani) është i vërtetë. Thuaj: 'Unë
nuk jam roje e juaj.'" (El-En'amë: 66)
Mjafton t'i themi muslimanit: "Zoti urdhëron të agjërosh"
e ai të agjërojë pa i numëruar dobitë dhe sekretet
e agjërimit, mirëpo jemi të detyruar të ndërmarrim
një hap të tillë për dy shkaqe:
1. Zoti i Madhëruar na informon në shumë ajete të
Kur'anit Famëlartë për dobitë dhe sekretet e sheriatit
që të mendojmë e punojmë dhe të bindemi se sheriati
hyjnor i përhershëm është shpallur vetëm për
të realizuar interesin e njerëzve dhe për t'i mënjanuar
dëmet prej tyre. Shiko fjalën e Tij (xh.sh.) mbi etikën
e kërkimit leje për hyrjen në shtëpi të huaj kur
thotë se një gjest i tillë është më i mirë
për ta: "O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të
huaj pa kërkuar leje dhe pa i përshëndetur njerëzit
e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë
që të merrni mësim". (En-Nur:27).
Gjithashtu edhe kur na urdhëron të agjërojmë i
cekë dobitë dhe urtësinë e Tij me një fjalë:
"O ju besimtarë, agjërimi u është bërë obligim
sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu
që të bëheni të devotshëm." (Bekare:183).
Urtësia e obligimit të agjërimit, ashtu siç e
potencon Zoti, xh.sh. fshehet në devotshmërinë që nënkupton
çdo gjë të mirë që e don Zoti e që falënderohet
njeriu për të në këtë botë, kurse mbrojtja
nënkupton largimin prej çdo vepre të urryer e të
dëmshme për shoqërinë dhe individin.
Shih hadithin e Muhammedit a.s. rreth dobive të agjërimit:
"Agjërimi është mbrojtje ngase agjëruesi s'përgojon
e as që bën mëkate".
Dobitë nga agjërimi numërohen me qëllim që
të ndikojnë më tepër në shpirt e të kenë
ndikim më të thellë, kurse muslimani të jetë më
tepër i bindur në adhurim e në Sheriat.
Një gjë e tillë është cekur edhe më parë
kur Ibrahimi a.s. kërkoi prej Zotit t'i tregojë se si i ringjallë
të vdekurit..! Kur e pyeti Zoti se "a nuk beson?", ai u përgjigj:
"Po, por të qetësohet zemra ime". Analizimi i rregullave dhe
shpalimi i sekreteve të tyre nuk kundërshtojnë imanin e
as që prezentojnë dobësinë e bindjes ngase vetë
Muhammedi a.s. i analizonte dhe i arsyetonte.
2. Disa njerëz mendojnë se kanë qëndrim të
lirë ndaj të kuptuarit të feve dhe besimeve dhe duke u mbështetur
në këtë parim, dyshojnë në to dhe i kritikojnë
sepse e pranojnë vetëm atë që e pranojnë intelektet
e tyre dhe logjika. Pasi që Islami nuk e mohon rolin e intelektit,
u flet njerëzve për atë që përputhet me mendjen
e shëndoshë dhe logjikën e arsyeshme dhe obligon atë
që është në favor (të njeriut) nëse urdhërohet
ose ndalohet. Atëherë nuk na pengon gjë që të
mbështetemi edhe në analizat racionale të fshehtësive
dhe dobive të sheriatit. Të gjithë njerëzit, në
çdo kohë, i kanë përjetuar dobitë e sheriatit
që përputhen me mendjen, logjikën dhe interesin e tyre,
pra ky është argument se pas këtij sheriati qëndron
fuqia dhe caktimi i Zotit Mëshirues, të Urtë e të Gjithëdijshëm.
"(Kjo është) mjeshtri e All-llahut që përsosi çdo
send". (En-Neml:88)
Me këto analiza u orvatëm t'i qetësojmë zemrat
e muslimanëve për obligimin e agjërimit dhe t'ua vërtetojmë
refuzuesve dhe mohuesve urtësinë dhe filozofinë e tij. Këtë
vlerë të Islamit s'mund ta mohojë askush!
Të shohim tani se çfarë urtësie ka agjërimi
dhe cilat janë dobitë e tij?!
Ne këtu nuk do të flasim për dobitë shëndetësore
sepse shpjegimi i tillë është përgjegjësi e mjekut
ngaqë Zoti urdhëron që t'i pyesim dijetarët përkatës,
pra, t'ua lëmë aspektin shëndetësor të agjërimit
mjekëve që mund të na njoftojnë më tepër
rreth zbulimeve të mjekësisë moderne. Këtu do të
përqëndrohemi në dobitë psikike, shpirtërore e
morale të agjërimit. Kjo temë është shumë
e gjerë dhe s'kemi mundësi të hyjmë në detaje
të hollësishme që distribuohen nëpër mediumet
informative, por do t'i cekim vetëm dobitë që kanë
të bëjnë me shoqërinë, individët dhe gjendjen
momentale të shoqërisë sonë.
Një ndër aspektet më të rëndësishme të
edukatës shoqërore që ka të bëjë me ndikimin
e agjërimit në shpirtrat e agjëruesve, është përforcimi
i bindjes në të vërtetën, konfirmimin, thirrjen në
të (të vërtetën) dhe në formësimin me të.
E vërteta në Islam ka vlerë të madhe, bile është
edhe një prej emrave të Zotit (El-Hakk): "Këtë (e themi
për ta ditur) se All-llahu është Ai i Vërteti", (El-Haxhxh:6);
e vërtetë ëshë ajo që e thotë Zoti i Madhëruar:
"Fjala e Tij është e njëmendtë dhe Atij i takon sundimi".
(El-En'am:73), apo: "E vërteta është nga Zoti yt", (Bekare:147).
Për këtë, mesazhet e pejgamberëve përmbanin
thirrjen në të vërtetën dhe përhapjen e saj midis
njerëzve: "Njerëzit ishin një popull (të fesë
së natyrshme islame) e (kur u përçanë) All-llahu
dërgoi pejgamberët përgëzues dhe qortues, dhe atyre
Ai ua zbriti edhe Librin me fakte të sakta për të gjykuar
në atë që u kundërshtuan ndërmjet veti". (El-Bekare:213).
Mesazhi i Islamit është periudha e fundit e sheriateve, thirrje
në së vërtetën dhe konfirmues i synimeve të të
vërtetës: "O ju njerëz, juve u erdhi i Dërguari me
të vërtetën (fenë e drejtë) nga Zoti juaj". (En-Nisaë:170).
Pasi që qëllim i Islamit është "e vërteta",
atëherë në fillim duhet të ceket adhurimi i Zotit,
Krijuesit, Formuesit dhe Furnizuesit tënd me begatitë e shumta.
Është kob i madh e i papërshkruar për njeriun nëse
e harron adhurimin e Tij dhe fuqinë e Tij mbi të.
Njerëzit hyjnizohen, dëmbërësit dëmtojnë
dhe tiranët keqtrajtojnë atëherë kur e harrojnë
adhurimin dhe kur ia mveshin vetes atributet e Zotit, ashtu që lejojnë
derdhjen e gjakut, marrjen e shpirtrave, mendjemadhësinë në
tokë, dëmtimin, robërimin e popujve dhe shkeljen e nderit
të tyre...
Faraoni ndjehej i madh në tokë dhe i fuqishëm: "O ju
pari, unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje".
(El-Kasas:38). Kështu, i vriste njerëzit, i dhunonte gratë
dhe i internonte udhëzuesit dhe prijësit më fisnikë
të popullit. Tirania e tij vazhdoi derisa i erdhi vdekja përkujtuese:
"Derisa e përfshiu atë përmbysja, e ai tha: 'Besova se nuk
ka zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, edhe unë
jam nga muslimanët!'..." (Junus:90).
Gjatë agjërimit njeriu e ndien veten njeri, apo ndien se
është rob që ka nevojë për ushqim e pije, i shmangur
nga çdo fuqi dhe barabarësohet me jetën e njerëzve
të tjerë, si në ushqim, vendbanim ashtu edhe në veshmbathje...
Gjatë agjërimit mbretërit, udhëheqësit, prijësit,
komandantët, të fuqishmit, të pasurit dhe të autorizuarit
me privilegje ndjejnë në vete se i ngjajnë popullit për
shkak se kanë nevojë për furnizimin, ushqimin dhe pijen
e Zotit; ndjejnë se u ngjajnë të varfërve dhe njerëzve
të dobët për shkak të urisë, ushqimit, ujit...
gjegjësisht pse e privojnë popullin nga ushqimi dhe pirja? Pse
e pengojnë të drejtën e tij, sepse sikur t'i dobësonte
Zoti xh.sh. faktorët e fuqisë së tyre, do të ishin
të dobët në tokë, të poshtëruar e të
degraduar?
Këtë e rikujton për herë të parë agjëruesi
(qoftë mbret apo tiran), sepse një gjë të tillë
mund ta harrojë jashtë Ramazanit... Sa e bukur është
lutja e besimtarit kur bën iftar e thotë: "O Zot, për ty
agjëroj dhe nga furnizimi Yt filloj iftarin". Ai këtu pranon
se furnizimi, pasuria dhe dhurimi janë të Tij dhe se e posedon
vetëm atë që ia jep Zoti. Kjo është një ndër
karakteristikat më të çmueshme të adhurimit dhe të
atributeve të Tij.
Është e vërtetë se njeriu duhet përherë
ta rikujtojë lidhjen e vet me Ummetin dhe të jetojë përherë
në zemrën, shpirtin dhe jetën e tij; aty të dëfrehet
e të pikëllohet; tirani e sundon shoqërinë e tij vetëm
kur harrohet kjo e vërtetë ngase paramendon se është
gjeni, ka fuqi dhe personalitet; Kështu njerëzit i përkulen,
pranojnë paaftësinë e tyre para tij dhe e përcjellin
mendimin e tij... Nëse ndonjëri prej tyre thotë, "Jo", tirani
përgjigjet me mendjemadhësi: "Vrit, burgos dhe interno!"
Të pasurit sillen brutalisht ndaj të varfërve, të
afërmit i këpusin marrëdhëniet familjare dhe fqiu refuzon
të drejtën e fqiut vetëm atëherë kur e harrojnë
lidhjen shoqërore dhe kur çdokush jeton për vete e jo
për njerëz, jeton me barkun dhe epshin e tij gjinor e jo me nevojat
dhe kërkesat e popullit... Gjatë agjërimit njeriu rikujton
se i përket shoqërisë, është prej saj, me të,
për të dhe në afërsi të saj... Ai jeton në
uri me shoqërinë, ushqehet së bashku me të dhe feston
me të...
Vetëm atëherë i rikujton ato, nevojat e tyre,
urinë e të varfërve, ndien mjerimin dhe nevojën e tyre;
pra, sikur të mos ishte agjërimi, nuk do t'i rikujtonte... Kështu,
shpirti i agjëruesit bëhet më i lartë, më njerëzor
dhe më afër zemrave të njerëzve...
Muslimani i parë, Muhammedi a.s. ishte njeri shumë bujar,
mirëpo gjatë Ramazanit i ngjante puhisë që sjell dobi,
jetë dhe ringjallje...
Aisheja r.a., gjatë Ramazanit i ka dhuruar popullit të vet
njëqind mijë dirhemë ndërsa për vete i ka ruajtur
teshat e rëndomta... Guvernatori për ketë e ka pyetur: "Sikur
të bësh diçka për iftarin tonë të sodit!".,
kurse ajo është përgjigjur: "Pasi që ma rikujtove,
do të lëmë", pastaj ka vazhduar: "A shihni o ju njerëz,
se si lartësohet shpirti i agjëruesit aq sa i harron nevojat
dhe kërkesat e vetvetes dhe i rikujton vetëm nevojat e popullit
të vet! Këtë e kërkon Zoti prej agjëruesve".
Është e vërtetë se kryetarët, udhëheqësit,
funksionarët dhe politikanët nuk duhet të punojnë
për hir të autoritetit ose pozitës së tyre por për
hir të Zotit xh.sh., nëse populli refuzon vlerën e tyre
atëherë nuk do t'i përkasin refuzimit, nëse e pranojnë
vlerën e tyre nuk do mashtrohen me verbimin nga pasioni, nëse
kanë nevojë për të (popullin), nuk do të hasin
në mashtrues e lajkatarë; kështu populli fiton lumturinë
së bashku me udhëheqësit dhe prijësit e vet kurse Zoti
i bekon ata udhëheqës e prijës për veprat dhe përpjekjet
e tyre..., e në të kundërtën, vjen mjerimi dhe vuajtja.
Me agjërim mëvetësohet edukata e përsosur... Agjërimi
është adhurim i fshehtë mes njeriut dhe Zotit të tij
pa kurrfarë hipokrizie e tradhtimi, nuk kërkon lavdërim
e as mirënjohje... Muslimanit agjërues i mjafton dituria e Zotit
për urtinë, përuljen dhe vendimin e sinqertë; nga shpërblimi
i Zotit xh.sh. i mjaftojnë pastërtia nga hipokrizia e tradhtimi
dhe sinqeriteti e besa e gjuhës së tij... Turpërohet prej
gënjeshtrës, vjedhjes, gibetit (përgojimit), dëmtimit
dhe armiqësisë ndaj njerëzve sepse Muhammedi a.s. thotë:
"Zoti s'ka nevojë për largimin e ndonjërit nga ushqimi
dhe pirja nëse ai nuk e braktisë gënjeshtrën."
Muhammedi a.s. gjithashtu e ka ndaluar agjëruesin t'i kundërvihet
të keqes me të keqe, paturpshmërisë me paturpshmëri;
"Nëse ndokush e shanë ose sulmon, le të thotë:
'Unë agjëroj', apo unë jam engjëll i tokës sime!
Nuk gënjej, as nuk sulmoj e as s'dëmtoj..." Sa me vlerë
është morali i tillë, për të cilin kanë nevojë
para së gjithash udhëheqësit e politikanët, posaçërisht
në Ramazan e në këtë kohë aktuale!
Është e vërtetë se njeriu nuk ka vetëm natyrë
trupore materiale dhe se nuk mund të arsyetojë se qëllimi
i tij në jetë është vetëm ushqimi trupor, por
në vete ka edhe natyrë të engjëjve, shpirtit dhe zemrës.
Kur e harron njeriu këtë të vërtetë, bie në
një nivel më të ulët se të kafshës. A nuk
i sheh njerëzit e Perëndimit, të cilët janë shndërruar
në rrezik për njerëzinë në atë çast
kur e humbën engjëlloren dhe përkrahën shtazoren?!.
Gjatë agjërimit barku ndjen uri kurse shpirti ushqehet, pastrohet
trupi e zemra forcohet, dobësohet epshi e lartësohet shpirti...
Në këtë muaj të bekuar besimtari gjenë kohë
për t'iu lutur Zotit, për leximin e Kur'anit Famëlartë
që është libër i përhershëm, edukativ, reformist
dhe pastrues i shpirtrave.
Në Ramazan muslimani dëgjon fjalët e Kur'anit të
cilat e ftojnë në mirëbërje, adhurim dhe e largojnë
nga e keqja dhe mëkati. Në këtë muaj muslimani i dëgjon
fjalët e Zotit: "Afrohu o robi Im! Pasi që kjo botë të
largoi prej Meje edhe pse jam më i afërt se damari i qafës,
pasi që të demoralizoi djalli nga mëshira Ime edhe pse ajo
kaplon çdo gjë, pasi që u mashtrove me autoritetin që
ta dhurova dhe mendove se s'ke nevojë për Mua, edhe pse nuk mund
ta shpëtosh gjënë që ta rrëmben miza dhe pasi
që ke ra në një shkallë më të ulët se
kafshët, edhe pse të krijova si mëkëmbës Timin
në tokë... Eja te Unë, o robi Im, që të të
lartësoj në shkallën e engjëjve të Mi e të
jetosh me shpirt të lartë, ndriçim shpirtëror dhe
dritë të zemrës. Në këtë mënyrë
do të jetosh në parajsë para se të hysh në te."
O vëlla besimtar!
Këtë të vërtetë që e vërteton agjërimi
në unin tënd, e ka vërtetuar edhe në paraardhësit
tanë dhe për këtë shkak kanë qenë mrekulli
e Islamit. Njerëzimi nuk njeh diçka që mund të krahasohet
me shpirtin e tyre të lartë, qëllimin e ndershëm, synimin
fisnik, ndriçimin e shpirtit dhe udhëzimin e zemrës.
A s'ka njerëzimi sot nevojë për një gjeneratë
të tillë, a s'ka nevojë shoqëria jonë për
njerëz të tillë?
A nuk sheh dëmin, humbjen, korrupsionin dhe amoralitetin që
e kanë kapluar shoqërinë tënde?
Ku është jehona e së vërtetës në shoqërinë
tënde?
A pranohet që popujt tanë të jetojnë nën presionin
e hekurit dhe zjarrit e në shpinat e tyre të fëshkëllojnë
kërbaçët e xhelatëve?
A pranohet që popujt tanë të jetojnë në mjerim
e vuajtje ndërsa pasurinë ta shrytëzojë një pakicë
e pasur dhe cinike?
A pranohet që këto parti t'i gënjejnë popujt tanë
me fjalë të ëmbla për të arritur pozitë,
fitim e autoritet?
A pranohet që politika të jetë mashtrim, gënjim
dhe humbje apo nxitëse e instinkteve dhe devijimit të popullit?
A pranohet që feja të jetë tregti për disa juristë
apo shkenca të jetë idhujtari për disa dijetarë?
A pranohet që autoriteti i disa injorantëve të poshtër
të jetë mjet nënshtrimi dhe shfrytëzimi?
O vëlla besimtar!
Pasi që Islami kërkon prej nesh që të jemi në
çdo kohë mbrojtës të së vërtetës dhe
më të sinqertë ndaj saj, atëherë a hase në
Ramazan diçka që ta mundëson predikimin e këtij mesazhi
në popujt e botës?
A gjete në Ramazan atë që të lartëson aq shumë
saqë të shndërron në udhëheqës nga e mira
dhe paqja?
A nuk të afron Ramazani me Zotin tënd të Vërtetë
edhe atë nëpërmjet të Dërguarit të Tij, Librit
të vërtetë dhe udhëzimit të sheriatit të
drejtë?...
Dëgjo atë çka të thotë Zoti xh. sh. me anë
të ajeteve të agjërimit:
"E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam
afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra
për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të
më përgjigjen Mua dhe le të më besojnë Mua." (Bekare,
186)
RAMAZANI, MUAJI I FUQISË
"Nuk është i fuqishëm ai që tërbohet por ai
që kontrollon veten në çastin e shqetësimeve të
mëdha." Hadith
Kjo jetë prezenton konfliktin në të cilin fitojnë
të fuqishmit. Fuqia është dyllojesh: fuqia materiale dhe
fuqia shpirtërore (ideologjike). Sipas parimeve islame, fuqia materiale
ndonjëherë mund të korrë fitore të përkohshme
dhe nuk do të jetë dobiprurëse. Kur'ani na rrëfen për
popujt e hershëm për të cilët thuhet se kanë qenë
të fuqishëm në aspektin e jetës materiale. Për
këtë shkak është përhapur në tokë korrupsioni
e devijimi, janë luftuar të dërguarit e Zotit e përgënjeshtruar
thirrjet reformiste dhe kanë mbizotëruar dekadenca e shkatërrimi.
Dëgjo ç'thotë Kur'ani Famëlartë rreth tyre:
"A nuk e di ti se ç'bëri Zoti yt me Adin? Me banorët
e Iremit me ndërtesa të larta? Që si ata (populli Ad) nuk
është krijuar askush në tokë! Dhe me Themudin, të
cilët shpuan shkëmbinj në luginën (Kura). Dhe me faraonin
e fortifikuar me tenda (ushtarake)! Të cilët e tepruan me krime
në tokë. Dhe në të shtuan shkatërrimin. E All-llahu
kundër tyre lëshoi lloj-lloj dënimesh. Pse Zoti yt është
që përcjell (u rri në pritë)." (Fexhër:6-14)
Në një ajet tjetër thuhet:
"A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shikojnë
se si përfunduan ata që ishin më parë, të cilët
ishin edhe më të shumtë prej tyre dhe më të fortë
për nga forca e ndikimit në tokë, por ajo që fituan,
nuk u ndihmoi asgjë. Kur u erdhën atyre të dërguarit
me argumente të qarta, ata iu gëzuan dijenisë së vet
dhe atëherë i përfshiu ajo që e tallnin." (Gafir:82-83)
Ky është fundi i popujve të cilët u mbështetën
në fuqinë materiale pa atë shpirtërore ideologjike,
gjë që rezultoi me mosrespektimin e besimit, moralit dhe jetës
shpirtërore.
Fuqia shpirtërore pa atë materiale, sipas Islamit, nuk do
të korrë sukses dhe s'mund ta udhëheqë jetën.
Gjatë historisë kemi parë popuj që jetuan të
shkelur, të nënshtruar e të keqtrajtuar, sepse nuk luftonin
e as që i përballonin ndokujt në jetë dhe kështu
pësuan disfatë nga të fuqishmit.
Rruga e vërtetë e jetës së lumtur e fisnike është
të harmonizohet materia me shpirtin për ta përforcuar njeriun
dhe jetën e tij si dhe të mbështetet populli në të
dy fuqitë: fuqinë e materies dhe atë të shpirtit; nuk
sundon njëra mbi tjetrën. Kështu ngjitet në qiejt e
lartë duke mos u frikuar nga tatëpjeta. Kur'ani na mëson
ta lusim Zotin kështu:
"O Zot, na jep të mira në këtë botë dhe në
botën tjetër."
Kur'ani na obligon ta përforcojmë besimin, kontrollojmë
epshin dhe lartësojmë shpirtin; ai na urdhëron të përgatitim
fuqi maksimale: "E ju përgatituni sa të keni mundësi force,
(mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër
atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje) ta frikësoni
armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët". (El-Enfalë:
60)
Ai gjithashtu na urdhëron të falim namazin e të japim
zekatin sepse këto dy aspekte paraqesin faktorët kryesorë
të fuqisë shpirtërore ideologjike si dhe urdhëron të
punojmë: "Dhe me atë që ta ka dhënë All-llahu,
kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë
që të takon nga kjo botë." (El-Kasas: 77)
Gjithashtu na urdhëron t'i zbulojmë pasuritë e tokës
dhe fshehtësitë e gjithësisë (qiellit) "Thuaj: 'Vështroni
me vëmendje çka ka (nga argumentet) në qiej e në
tokë.'" (Junus: 101)
Kur'ani na urdhëron të luftojmë në rrugë të
Zotit xh. sh. dhe ta sakrifikojmë jetën për hir të
së vërtetës sepse xhihadi është një ndër
fenomenet më të mëdha të fuqisë, lëvizjes
dhe punës, gjegjësisht në këtë frymë filloi
thirrja islame në kohën e Muhammedit a.s. dhe u zhvilluan
luftërat, kurse Muhammedi a.s. nuk ishte i fortifikuar por luftoi
së bashku me ta (muslimanët), e udhëhoqi ushtrinë,
sulmoi, fitoi, u plagos... Fitorja ishte në anën e thirrjes që
i bashkoi të dy fuqitë kundër idhujtarisë që kishte
dobësuar mendjen, moralin dhe fuqinë luftarake të arabëve.
Islami konfirmon se fuqia shpirtërore me pak fuqi materiale ka
sukses kundër fuqisë materiale nëse humbet faktori psikik
ideologjik: Për këtë, në Kur'an thuhet:
"'Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë
triumfuar ndaj grupeve të mëdha!' All-llahu është me
durimtarët." (Bekare: 249)
Shembull më i qëlluar për këtë është
beteja e Bedrit, ku muslimanët, numri i të cilëve ishte
treqind, fituan në Bedër edhe pse ishin arabë si kurejshitët
që ishin afër një mijë. Ata ishin të afërmit
e tyre, prej një vendi, një popull dhe me karakteristika identike;
kurse armët e njëmijëshit ishin më të shumta se
ato të treqindëshit... Por, muslimanët kishin fuqinë
e besimit, moralit e shpirtit, gjë që nuk e kishte opozita pabesimtare
dhe për këtë dështuan ashtu që disfata e tyre
u shënua në Kur'an në një formë ideale që
tregon se ç'mund të bëjë fuqia shpirtërore ndaj
asaj materiale nëse vlerësohet minimalisht fuqia e armës.
Në Kur'an ceket shembulli i individit që i bashkon të
dy fuqitë dhe fiton e korrë sukses, gjegjësisht Musa a.s.
i cili u mbushi ujë dy vajzave dhe eci me to deri te babai i tyre
pa i shikuar fare për shkak të turpit, moralit dhe fisnikërisë.
Njëra prej tyre i tha babait të saj:
"O babai im, merre këtë në shërbim me pagë,
sepse më i miri i atij që do ta marrësh në shërbim
është ai i fuqishmi e besniku!" (Kasas: 26)
Po ashtu në Kur'an ceket edhe shembulli i popullit që bashkon
të dy fuqitë dhe që ngadhënjen:
"Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që
janë me të (as'habët), janë të ashpër kundër
jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet
vete, ti i sheh ata kah përulen (në ruku) duke rënë
me fytyrë në tokë (në sexhde), dhe kërkojnë
nga All-llahu që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë
e Tij ndaj tyre". (El-Fet'h:29)
Ky është fryti i bashkimit të të dy fuqive dhe
elementi kryesor i lumturisë së popullit të sinqertë.
Agjërimi, të cilin e obligoi All-llahu xh. sh. për muslimanët,
përmban në vete bashkimin harmonik të dy fuqive, që
jep fryt ideal, sepse në aspektin shëndetësor prezenton
fuqinë e trupit kundër shumë sëmundjeve, kurse në
aspektin ideologjik muslimanit i dhuron tri fuqi ideologjike që ndikojnë
më së shumti në lumturinë e individëve dhe të
shoqërive.
Durimi
Muslimani gjatë Ramazanit duron në uri e etje, braktis gjërat
që zakonisht i praktikon gjatë ditës, si kënaqësitë
dhe lëngjet freskuese, pra me vetdëshirë abstenon e duron
e jo nga frika e burgut, kërcënimi i trupit dhe i pasurisë.
Durimi vullnetar në kënaqësitë e epsheve ka më
tepër dobi për shpirtin dhe popullin se ai i obliguar nga mospasja,
dënimi apo maltretimi.
Ushtari i cili nuk ka mësuar të agjërojë vullnetarisht
në kohën e paqes nuk do të jetë më i durueshëm
në betejë gjatë rrethimit eventual nga armiku dhe ndërprerjes
së lidhjeve mes tij e eprorësisë.
Ushtari musliman duron urinë njëmujore në çdo
vit dhe atë disaorëshe në ditë derisa shmangia nga
gjërat e shndërruara në vese të ditës, si duhani,
çaji dhe kafja, të bëhet për të e rëndomtë.
Vetë e kam përjetuar gjatë burgosjes sime në Luftën
e Dytë Botërore se si të burgosurit e humbnin vetëdijen
për shkak të urisë disaditëshe. Vetëdijen e humbnin
ata që nuk ishin mësuar të agjërojnë kurse ata
që zakonisht kishin agjëruar më parë, urinë e
pranuan si të rëndomtë në jetën e tyre, gjë
që shkaktoi habi të madhe.
Durimi në rastet e vështira paraqet armën më të
fuqishme për popujt sepse një durim i tillë në mesin
e betejës është faktor kryesor për ta mundur armikun.
Ne e dimë, se një ndër problemet më të mëdha
të eprorësisë luftarake bashkëkohore është
furnizimi i ushtarëve me ushqim dhe disponimi i tyre nëse gjenden
larg vendit dhe familjeve të tyre...
Shpeshherë shohim se ushtria perëndimore merr me vete një
grup laviresh për t'i disponuar ushtarët. Krahaso këtë
me ushtrinë islame që zhvillonte luftëra dhjetëvjeçare
në Gadishullin e Arabisë pa patur probleme me ushqimin dhe disponimin
e ushtarëve. Problemi i ushqimit zgjidhej për shkak se ushtria
islame përbëhej prej ushtarëve që nuk i jepnin rëndësi
kënaqësisë ushqimore por sakrifikimit për të hyrë
në parajsën (xhennetin) e gjerë aq sa qiejt e toka... Ushqimi
për ta ishte vetëm materie për lukthin dhe përforcimin
e trupit, nëse gjenin mish e qumësht, nuk ngopeshin, e nëse
gjenin hurma e ujë ngopeshin dhe nëse nuk ushqeheshin me ditë
e netë të tëra veten e konsideronin si agjërues të
Ramazanit..!
Sa i përket disponimit të tyre, ata e gjenin ate në
adhurim sepse kishin fuqi shpirtërore, pastërti të besimit
dhe moral të lartë. Po, pasha Zotin, disponimin epshor e largonin
kurse në anën tjetër e forconin veten për luftë
kundër armiqve të tyre, edhe ate me anë të adhurimit
gjatë natës deri para agimit të mëngjesit sepse lexonin
Kur'an, lutnin (All-llahun) dhe mësonin orë të tëra
para se ta kryenin namazin e mëngjesit. Ata vetëm ashtu e gjenin
fuqinë në shpirtrat e tyre dhe qetësinë e zemrave të
tyre. Kështu vepronin çdo ditë pas përfundimit
të betejës e ju mund t'i paramendoni mundimet e atëhershme
të luftëtarëve... Arma e bardhë, shigjetat e përpikta
dhe kuajt e shaluar ishin armët e tyre, me të cilat luftonin
ballë për ballë armikun, çdo ditë prej mëngjesit
deri në mbrëmje, gjegjësisht deri në kryerjen e namazit
të jacisë, pastaj pushonin disa orë në tendat e tyre.
Pas pushimit çoheshin, i drejtoheshin All-llahut xh. sh. dhe i luteshin
me zemra të pastra sepse vetëm lutjet dhe leximi i Kur'anit i
dispononin shpirtrat e tyre.
Ata vepronin kështu... A s'keni dëgjuar si erdhi deri në
tubimin e Kur'anit gjatë kohës së Uthmanit r.a.? Hudhejfe
ibn El-Jeman, komandant i ushtrisë islame, i cili luftonte në
Azerbajxhan, dëgjonte lexime të ndryshme të muxhahidinëve
gjatë kontrollimit të tij natën nëpër tendat e
tyre para namazit të mëngjesit.
Ata lexonin aq shumë saqë zëri i tyre i ngjante gumëzhimit
të bletëve!!
Kjo është fshehtësia e fitores se tyre mahnitëse
e të mrekulluar, të cilën na e rrëfen historia si të
pakrahasueshme. Kjo është fshehtësia e disfatës së
ushtrive persiane e romake që kishin moral të shkatërruar,
shpirt të pandritshëm, johuman e joideologjik, ashtu siç
është rasti me ushtritë e Perëndimit, të cilat
vazhdojnë luftën në qoftë se kanë pranë vetes
pije alkoolike dhe lavire. Hyrja e tyre në beteje realizohet vetëm
pas sigurimit të ushqimit dhe furnizimit disamujor!
Respektimi
Muslimani i cili agjëron në Ramazan, largohet nga ushqimi,
pija dhe tradita e përditshme për shkak të respektimit të
urdhërit të Zotit xh. sh. dhe nderimit të Muhammedit a.s.,
dhe për këtë, ai nuk mendon se a do të jetojë
në qetësi apo në vështirësi sepse për të
mjafton besimi në një Zot dhe pranimi i Muhammedit a.s. si i
dërguar e udhëheqës; ai është betuar në Islamin
e tij qoftë në rrethana të volitshme apo të pavolitshme,
të mira apo të këqija.
Kështu, ushtari musliman ishte shembull ideal i respektimit që
realizohej me vullnet dhe bindje të thellë shpirtërore.
A do të përfitonte Halidi virtytin më të lartë,
i cili u revokua nga posti si komandant i ushtrisë dhe u shndërrua
në ushtarë të thjeshtë që luftonte me të
njëjtën energji, duke thënë: "Unë luftoj
për hir të Zotit të Umerit e jo për Umerin", sikur
të mos e kishte thelluar Islami në shpirtin e tij atë moral
të lartë që përbëhej prej agjërimit, namazit
dhe parimeve tjera islame?
A do të realizoheshin shembujt e mrekullueshëm në historinë
e Ebu Bekrit, Umerit, Halidit, Sa'dit dhe kolosëve tjerë muslimanë
sikur të mos ishte ngulitur agjërimi në karakterin e devotshmërisë
së tyre të vetëdijshme gjersa e respektonin njëri-tjetrin
dhe vepronin bashkërisht?
Çka vëreni në ushtrinë e Usames, të cilën
e përgatiti Muhammedi a.s. pak para vdekjes ashtu që pleqësia
e muhaxhirëve dhe ensarëve, si Ebu Bekri, Umeri, Uthmani
dhe Halidi të jenë nën komandën e të riut Usame
ibn Zejd, i cili ende nuk kishte mbushur njëzet vjet?
Si i shpjegoni fjalët e Ebu Bekrit drejtuar Umerit pas vdekjes
së Muhammedit a.s., kur Umeri kërkoi që të caktohet
komandant ndonjë që është në moshë dhe më
me përvojë: "I Dërguari i Zotit ta caktojë e unë
ta largoj?!"
Si e kuptoni respektimin e çuditshëm të porosive të
Muhammedit a.s. para dhe pas vdekjes së tij? A nuk është
ky respekt fryt i ndikimit të agjërimit në edukatën
e muslimanëve për respektimin e komandantit të dashur?!
Po, këtë e dëshmon edhe vetë historia!
Disiplina dhe organizimi
Muslimani gjatë Ramazanit ushqehet, fle e zgjohet në mënyrë
të disiplinuar e të organizuar. Organizimi i shoqërisë
islame gjatë Muajit të Ramazanit realizohet në formë
të përkryer sepse uria ditore është e përbashkët,
bashkërisht në një kohë hanë iftarin, bashkërisht
falin namazin e jacisë, teravisë, mëngjesit... Ky lloj organizimi
s'krahasohet me asnjë shoqëri tjetër sepse në të
barazohet plaku me të riun, dijetari me të paditurin, sunduesi
me të sunduarit, i pasuri me të varfërin; nuk dallohen klasat
njerëzore e as individët njëri prej tjetrit.
Sa i mrekullueshëm është agjërimi në sytë
e hulumtuesve, si vegël për edukimin, respektimin dhe organizimin
e popujve?!
Ky është morali kryesor që thellohet në shpirtin
e muslimanit nën ndikimin e agjërimit: durimi, respektimi, organizimi,
disiplina...
A mendoni se një popull që i posedon këto fuqi shpirtërore
do të shkatërrohet?
A mendoni se ushtria e kalitur me këto elemente të fuqishme
të moralit do të pësojë disfatë?
A mendoni se në shoqërinë ku mbizotëron morali
i tillë i fuqishëm do të përhapet amoraliteti?
Pasha Dërguesin e Muhammedit a.s. si pejgamber, sikur ta posedonim
sot këtë moral në konfliktin tonë me Izraelin, do të
ndikonim shumë edhe sikur ta posedonim gjysmën e armëve
dhe pajisjeve të tyre!
Sikur t'i posedonim armët ideologjike e shpirtërore, do ta
shndërronim çështjen e kolonializmit të botës
arabe e islame në legjendë!
Sikur të përkryhemi me këtë moral dhe të armatosemi
me fuqi materiale do ta zhbinim flamurin e qytetërimit nga duart e
perëndimorëve të mëdhenj e të degjeneruar.
O vëlla musliman!
Kur të agjërosh Ramazanin, mos harro se Zoti xh. sh. don
të të shndërrojë me anë të agjërimit
në njeri "të fuqishëm e besnik" dhe ke kujdes që të
mos kalojë Ramazani e të ngelish "i dobët e tradhtar"!
O bijtë e Ummetit!
Kur agjëroni, mos harroni se Zoti me anë të agjërimit
don t'ju shndërrojë në popull "të ashpër
kundër jobesimtarëve e të mëshirshëm ndërmjet
vete" (El-Feth, 29) dhe keni kujdes të mos kalojë Ramazani e
t'u përngjani njerëzve që i përshkruan Zoti kështu:
"E kur t'i shohish ata, trupat e tyre të mahnisin, e kur të flasin,
fjalës së tyre i vë veshin. Por ata janë si trungujt
e zgavruar e të mbështetur, e çdo zë e mendojnë
se është kundër tyre". (El-Munafikun: 4)
RAMAZANI, MUAJI I LIRISË
"Në liri plotësohet adhurimi, kurse me realizimin e adhurimit
plotësohet liria".
Ahmed ibn Hadravejhi
Liria nuk është ashtu siç e kuptojnë shumica
e njerëzve, gjegjësisht nuk përkufizohet me përfitimin
e popujve, të drejtat e tyre në udhëheqje e pavarësi
sepse kjo është liri politike, e pas saj vijon liria e idologjisë,
e popullit, kulturës dhe doktrinave humane fisnike.
Liria nuk është ashtu siç e paramendojnë shumica
e të rinjve, gjegjësisht njeriu të vrapojë pas epsheve
dhe dëfrimeve të tij, të hajë e të pijë si
të dojë si dhe të realizojë çdo gjë që
dëshiron. Kjo liri prezenton formën e kaosit në një
anë dhe robërinë e urrejtur në anën tjetër.
Kjo liri prezenton formën e kaosit sepse s'ka në botë
liri absolute e të pakufizuar me ligj ose sistem, bile çdo
gjë në botë zhvillohet sipas ligjit të posaçëm
sistematizues.
Liria e individit mbrohet vetëm nëse përkufizohet me
disa rregulla me qëllim që të mbrohen liritë e të
tjerëve, dhe nga kjo urtësi dalin ligjet, kushtetutat, sistemimet
dhe rregullat. Për shembull, ligji i trafikut në metropolet e
mëdha, ku udhëzohesh nëpër rrugë me shenjat udhëzuese
të komunikacionit, ligji i qetësisë së përgjithshme,
i cili pengon të bërtasish natën në rast të kalimit
nëpër lagjet e banuara; ligji i mbrojtjes së pavarësisë,
gjegjësisht s'mund të propagosh ide që e rrezikojnë
sigurinë e paqes në shtet...
A mund të kërkosh kontratën paqësore me armikun
gjersa populli yt gjendet në kulm të luftës? A mund të
zhvillosh tregti me armikun apo t'ia dorëzosh prodhimet e vendit tënd
pa kurrfarë dënimi që shpeshherë përfundon me
ekzekutim?
Plotësimi i lirisë ndonjëherë realizohet me ndalim,
p.sh. të sëmurit të cilit i ndalohet ushqimi i dëmshëm,
i kufizohet përkohësisht liria e ushqimit për shkak të
shërimit ndërsa krimineli burgoset përkohësisht për
të kuptuar se si ta shfrytëzojë më vonë lirinë
e vet, në mënyrë të drejtë dhe pa i dëmtuar
njerëzit dhe vetveten.
Njeriu nuk jeton i vetëm por është pjesë e shoqërisë
së bashkuar dhe kështu nëse dëmtohet ai dëmtohet
edhe shoqëria. Për këtë, Muhammedi a.s. ka dhënë
një shembull të bukur rreth një grup njerëzish që
kanë lundruar me anije. Disa prej tyre kanë qenë në
pjesën e lartë kurse të tjerët në pjesën
e ulët të anijes. Pasi që ata të cilët ishin poshtë
e merrnin ujin prej atyre që ishin lartë, thanë: "Pse nuk
fundosemi e të marrim ujin drejt nga deti?" Muhammedi a.s. tha: "Sikur
t'u lejonin të veprojnë sipas dëshirës së tyre
do të fundoseshin të gjithë, e nëse shpëtonin
ata, do të shpëtonin të gjithë". Ky është
një shembull i mirë nga mësuesi më i madh i njerëzimit,
i cili përkufizon lirinë individuale që nuk dëmton
askend dhe lirinë që dëmton dhe shkatërron shoqërinë
nëse eventualisht aplikohet.
Sa i përket robërimit, mund të themi se liria plotësohet
atëherë kur nuk të robëron ndokush që është
njeri sikur ti. Liria individuale, në të cilën mbështeten
disa njerëz, prezenton robërimin e urrejtur nga ana e njeriut
që është sikur ti dhe kaosin e parimeve jetësore. Nëse
mbi njeriun dominojnë kënaqësitë e epsheve dhe jeta
e shfrenuar, atëherë ai shndërrohet totalisht në rob
të kënaqësisë, sepse jetën e tij vetëm ajo
e dirigjon. Në këtë rast ai vepron siç dikton kënaqësia
epshore dhe s'mund ta kundërshtojë.
Çfarë lirie është kjo kur gjërat e pavlefshme
e shndërrojnë njeriun në rob?! Sikur të vlerësohej
njeriu sipas sasisë së plotësimit të epsheve, atëherë
shtaza do të ishte më e vlefshme!
Shtazët vrapojnë pas kënaqësisë së pakufizuar
e të paqëllimtë, kurse njeriu sado që orvatet t'i plotësojë
kënaqësitë e veta, përsëri do të gjegjë
pengesa në rrugë. Pra si mendoni ju, a mund të paramendojë
ndokush se shtaza që nuk hasë në pengesa është
më e lirë se njeriu dhe më e lumtur?!
Kur ndjek ndokush ndonjë vajzë apo këngëtare, a
mund të paramendojë se është i lirë nga dominimi
i tyre? A nuk e sheh ate si rob të çastit, të zënë
peng e të humbur?
Qëllimet më të larta në jetën e tij varen
nga dashuria e larguar apo nga dëshuria e trupit të ndaluar?
A ka robëri më të keqe se ajo që nuk e lë
njeriun të lirë në dashuri ose urrejtje, në vazhdim
ose ndalim, në kënaqësi ose hidhërim apo në qetësi
ose huti?
A mund të supozojmë se është i lirë ai që
jepet pas pijeve dehëse derisa të dëmtohen nervat, shëndeti,
mendja dhe dinjiteti i tij? A ka diçka më neveritëse
se robërimi nga pija vrasëse dhe helmi shkatërrues?
Kështu mund ta gjykosh atë që dorëzohet krejtësisht
para pasurisë e pozitës dhe fanatizmin e udhëheqësit.
Çdo njeri i dorëzuar para këtyre gjërave, shndërrohet
në rob të mposhtur si dhe çdo epsh që sundon mbi
veprat dhe sjelljet e tij, e shndërron në rob të përhershëm.
Kjo gjendje përshkruhet shumë bukur në Kur'an: "A e ke parë
ti (Muhammed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e
respekton si zot të vetin?" (El-Xhathije: 23)
Dëshirat e njerëzve të tillë kanë karakteristika
hyjnore... A nuk është Zot ai i cili adhurohet, i nënshtrohen,
i frikohen dhe i luten? A nuk janë ithtarët e epsheve nën
dominimin e dëshirave të tyre ngase nuk mund t'i hidhërojnë
e as t'i refuzojnë?!
Robërimi nuk paraqitet vetëm në formë të lidhjes
apo të burgut sepse këto janë llojet më të lehta
të tij dhe me afat shumë të shkurtë.
Robërimi i vërtetë formohet nga tradita e përditshme
që dirigjon, epshi që sundon dhe kënaqësia që
adhurohet... Liria nuk është në transferimin prej një
vendi në një vend tjetër por ajo është në
dominimin mbi epshet tuaja dhe në dallimin e të mirës ndaj
së keqes.
Liria e vërtetë është që të mos bëhesh
rob i shprehisë së përditshme dhe të të mos mposhtë
epshi. Në këtë kuptim muslimanët e devotshëm kanë
qenë plotësisht të lirë sepse feja i ka liruar shpirtrat
e tyre nga ambiciet, epshet dhe dëshirat e dëmshme, i ka lidhur
shpirtrat e tyre me All-llahun, xh.sh. Krijuesin e gjithësisë
dhe jetës kurse dëshirat e tyre i ka kufizuar vetëm me dëshirën
e Tij. Zoti xh.sh. është i Vërtetë, burim i të
mirës, dashurisë dhe mëshirës. Njeriu lirohet nga atributet
e urrejtura vetëm në rastë se dominojnë mbi te: e vërteta,
mirësia dhe mëshira. Nëse njeriu obligohet të robërohet
nga ndonjë ide, doktrinë apo krijesë, atëherë
për të më mirë do të ishte sikur të bëhej
rob i të Vërtetës se sa i të keqes. Ata të cilët
i robëron doktrina njerëzore që e përfiton lartësinë
e saj nga Zoti, janë më të mirë se ata të cilët
i robëron doktrina epshore që rrjedh nga djalli. Ata të
cilët i nënshtrohen All-llahut xh.sh. dhe i respektojnë
urdhërat e Tij janë më të mirë, më të
përkryer dhe më të mençur se ata të cilët
i nënshtrohen femrës, gotës, pasurisë ose epshit, gjegjësisht
respektojnë urdhërin e njeriut që gabon apo qëllon,
lartësohet apo mposhtet, bën mirë ose keq...
A nuk vëren, së bashku me mua, pas gjithë kësaj,
marrinë e disa përparimtarëve që refuzojnë të
thirren ashtu siç i kanë thirrur etërit e tyre, si Abdull-llah
(Rob i Zotit) ose Abdulxhevad (Rob i Bujarit), kurse në të kundërtën
lejojnë të atribuohen me "robëri"?! A nuk i sheh ata të
cilët refuzojnë robërinë nga fuqia e të cilit
nuk mund të largohen kurse pranojnë robërimin e epshit më
të urryer e më të poshtër? A nuk sheh se ata kanë
nevojë për keqardhjen tënde më tepër sesa të
nxisin në shpirtin tënd marrinë dhe mohimin?
Me këtë koncept preciz të lirisë dhe robërimit
e presim Ramazanin si muaj të "lirisë" kurse agjërimin si
shkollë ku diplomojnë të lirët me plotkuptimin shkencor
të fjalës.
Në Ramazan ka uri, etje, kufizim dhe ndalim, por edhe shëndet
dhe lirim nga robërimi; në të ka revolucion kundër
robërimit të ushqimit e pierjes, shprehisë e jetës
monotone...
Revolucioni kundër robërisë është atributi
i parë i të lirëve.
Në Ramazan ka abstenim vullnetar nga kënaqësia dhe pikërisht
kjo gjë paraqet lirinë. Liria e dëshirës është
të veprosh sipas mendjes tënde e jo sipas epsheve dhe emocioneve,
si dhe ta ndalosh veten nga ajo që mund ta realizosh. Vetëm në
këtë rast ke dëshirë të fuqishme, epsh të
dobët, i kontrollon dëshirat tuaja dhe nuk dështon mendja
yte para fuqisë së epshit tënd. Ai që atribuohet kështu,
korrë fitore në çdo betejë.
Shiko tregimin për mbretin Talut, i cili ndaloi ushtarët
e vet të pijnë ujë nga lumi, edhe pse ishin të etur
e të rraskapitur, mirëpo vetëm një numër i vogël
e respektoi urdhërin e dhënë dhe ky numër ngadhënjeu
për shkak se ishin dinjitozë në përcaktimet e tyre:
"E kur doli (prej qytetit) Taluti me ushtrinë, tha: 'All-llahu
do t'ju sprovojë me një lumë, e ai që pi prej tij,
ai nuk është me mua, e kush nuk e shijon ate, ai është
me mua, përveç atij që me dorën e vet e pi një
grusht!' Mirëpo, me përjashtim të një pakice prej tyre,
të tjerët pinë nga ai. E kur e kaloi ai (Taluti) atë
së bashku me të edhe ata që ishin besimtarë thanë:
'Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij!'
Por ata që ishin të bindur se do ta takonin All-llahun xh.sh.
thanë: 'Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut
kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!' All-llahu është
me durimtarët. E kur i dolën përballë Xhalutit dhe
ushtrisë së tij, thanë: "Zoti ynë! Na dhuro durim,
na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër pabesimtarëve!"
(El-Bekare: 249-250)
Kështu, triumfuan ndaj tyre pasi që dominuan mbi nevojat
e tyre.
"E ata, të cilët luftuan për hir Tonin, Ne me siguri
do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu
është në krahun e besimtarëve". (El-Ankebut: 69)
Gjatë Ramazanit, adhurimi ndaj Zotit është i plotë!
Sa më të lirë të jenë njerëzit, aq më
shumë do ta adhurojnë Zotin!
Këta njerëz nuk robërohen nga këngëtarja,
epshi, pasuria, kënaqësia, ambicia dhe shqetësimi, bile
as që i kaplon frika apo drithma.
Adhurimi i Zotit i ka çliruar nga çdo frikë pos
frikës nga Ai: "Ta keni të ditur se të dashurit e All-llahut
(evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër)
e as kurrfarë brengosje. (Ata janë ata) të cilët besuan
dhe ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e dynjasë
(në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për
shpëtim dhe xhennet). Premtimet e All-llahut nuk mund të pësojnë
ndryshim. E, kjo është sukses i madh". (Junus: 62-64)
Kështu, ata refuzuan çdo adhurim pos atij të All-llahut
xh.sh. dhe u shndërruan në zotërues të epsheve, fituan
liri të vërtetë e moral fisnik dhe në zemrat e tyre
u pasuruan...
Pasha jetën time, kjo është liri e madhëruar!
Me të drejtë ka thënë Muhammedi a.s.:
"Pasuria nuk është në pronën e gjerë, por
në shpirt."
Sa e mirë është thënia e Ibn Ataull-llahut: "Ti
je i lirë nëse largohesh nga diçka, e nëse jo, atëherë
bëhesh rob i saj".
Nga e gjithë kjo që u theksua mund të kuptohet urtësia
e madhe e thënies së sufistit të njohur Ahmed ibn Hadravejhit:
"Në liri plotësohet adhurimi, kurse me realizimin e adhurimit
plotësohet liria".
Gjatë Ramazanit njeriu largohet nga paedukimi i urrejtur, fjala
fyese, sjellja e turpshme...
Sa e ëmbël është kjo liri!
Ti je i lirë në sjelljen fisnike dhe nuk dërgohesh nëpër
gjyqe, nuk burgosesh dhe nuk e humbë meritën e pozitës!..
Ti je i lirë në fjalën fisnike, nuk obligohesh të
kërkosh falje, nuk qortohesh dhe nuk pendohesh!
Ti je i lirë në bashkëpunim me të tjerët,
nuk kritikohesh, nuk flitet për tradhtinë tënde dhe nuk
je i dyshimtë!
O vëlla besimtar!
Ky Ramazan na mëson lirinë e plotë me urinë e tij,
etjen, kufizimin dhe ndalimin... A s'e dëshiron lirinë e tillë,
që buron nga uria dhe ndalesa?
Eja pra me mua e të fluturojmë në horizontet e lirisë!
Eja me mua e të largohemi nga bota e robërve!
Eja me mua e të shohim se si jetojnë robërit në
botën e adhurimit!
A mendon se politikanët e mëdhenj, që i dirigjojnë
çështjet e botës janë të lirë? A nuk sheh
se janë robër të ambicieve të tyre politike!
Si të bëhet bota e lumtur kur robërit e udhëheqin?
A mendon se ata të cilët e udhëheqin popullin pa dëshirën
e tij janë të lirë? A nuk i sheh se janë robër
të epsheve dhe lakmisë? Si mund të jetë populli i lumtur
kur robërit e udhëheqin?
A mendon se të gjithë popujt që anojnë nga epshet
e lira janë të lirë nga çdo adhurim? A nuk sheh se
janë viktimë e pavetëdijes dhe shprehisë vrasëse?
Si mund të zgjohet një popull që nuk është çliruar
nga prangat e robërisë?
A mendon se "përparimtarët" që nuk agjërojnë
janë të lirë në mendime e ide? A nuk sheh se mvaren
nga kënaqësia e pafrenueshme dhe se janë robër të
epshit të pangopur? Barku dhe epshi i tyre i kanë privuar nga
bota e të lirëve dhe nga atributet e luftëtarëve! Si
mund ta paramendojnë lirinë kur mendja e tyre është
nën dominimin e epshit?
Ata janë robër me rroba të të lirëve!
T'i cekim të lirët e botës së të lirëve!
A nuk të kujtohet dita kur i erdhi Muhammedit a.s. liria, gjegjësisht
liria e plotë e sheriatit të Zotit, i çliroi arabët
dhe i shndërroi në udhëheqës të botës?
A nuk të kujtohet liria e tyre në mendime gjersa Umeri i
tha (Haxherul-Esvedit) gurit të zi: "Pasha Zotin, e di se je vetëm
gurë, nuk dëmton e as që ka dobi prej teje. Sikur të
mos e shihja të Dërguarin e Zotit se të puthë, nuk
do të puthja asnjëherë".
A nuk të kujtohet se përhapja e Islamit ishte mëshirë
për popujt, çlirim dhe shkatërrim i prangave... Ata u
shndërruan në popuj më të mëshirshëm dhe
më të sinqertë në bartjen e flamurit të lirisë
gjersa një i Perëndimit brohoriti: "Historia nuk ka parë
pushtues më të mëshirshëm se arabët"!
A nuk të kujtohet se u liruan nga robërimi i pasurisë
aq shumë saqë të pasurit, gjatë jetës e shpërndanë
tërë pasurinë e tyre. Kur e pyeti Muhammedi a.s. njërin
prej tyre se çka i ka lënë familjes së tij, ai është
përgjigjur: "Zotin dhe të Dërguarin e Tij".
A nuk të kujtohet lirimi i tyre nga frika e vdekjes dhe dashuria
e jetës gjersa komandanti i tyre, Halidi u tha armiqve: "Ju solla
njerëz që e duan vdekjen ashtu siç e doni ju jetën!"
Po, vëllai im, ti e kujton gjithë këtë!
Pra, të mësojmë prej Ramazanit lirinë që të
jetojmë të lirë në këtë botë dhe ta
mësojmë botën se si është liria: "Ju jeni popull
më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve,
të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga
veprat e këqija dhe të besoni All-llahun." (Ali Imran: 110)
FILOZOFIA DHE SEKRETET E AGJËRIMIT
"Agjërimi paraqet burrërinë e proklamuar dhe dëshirën
e lartë".
Kjo është mbrëmja e dytë e këtij Muaji fisnik,
në të cilin njerëzit zakonisht qëndrojnë deri
në mëngjes, përgatisin ushqim gjersa e kalojnë nivelin
e rëndomtë dhe përjetojnë gëzim dhe hare. Këto
forma mund t'i plotësojnë dëshirat e disa fetarëve,
që i konsiderojnë si argument për thellimin e Islamit në
zemrat e muslimanëve, por ngelin në këtë kufi sepse
e pranojnë realitetin e agjërimit në bazë të urisë
ditore, realitetin e fisnikërisë me pagesat e iftarit dhe syfyrit
kurse realitetin e devotshmërisë me ndriçimin e minareve
dhe mbushjen e xhamive me njerëz.
Në realitet e vërteta e agjërimit nuk ndikon në
mjedisin e disa njerëzve dhe për këtë vendosin të
mos agjërojnë, pa ndier kurrfarë faji ose mëkati, bile
ndonjëherë hanë gjatë ditës së agjërimit
publikisht pa kurrfarë turpi ose shqetësimi.
Sekretet e agjërimit
Sikur të ishte agjërimi traditë atëherë sipas
edukatës shoqërore, duhej ta respektonim më tepër sesa
e respektojmë tash për shkak të nderimit të popullit
dhe traditës së tij.
Pra në ç'mënyrë ta respektojmë pasi që
është edukatë shpirtërore e popullit që mëson
prej agjërimit ngritjen mbi epshet, depërtimin në horizontet
e mirësisë dhe largimin nga materja, gjegjësisht shoqëria
fiton lumturinë e saj?!
Kështu, agjërimi është vegël për edukimin
e dëshirës stabile të popullit sepse agjëruesi nuk
dominon vetëm mbi kënaqësinë e lejuar por edhe mbi
ate të ndaluarën; fiton shprehi të largohet vullnetarisht
nga ushqimi e pija që më vonë të mos ndiej vështirësi
në rast obligimi.
Agjërimi është obligim praktik i Islamit të mëshirshëm
për të gjithë muslimanët; hanë e pijnë në
një kohë, nuk dallohet barku prej barkut e as goja prej gojës;
ndien urinë edhe ai që se ka ndier para Ramazanit si dhe përjeton
vuajtjet e varfërisë dhe të skamjes edhe ai që s'i
ka përjetuar më parë.
Pasha jetën time, a ka në botë socializëm praktik
që i trajton njerëzit në mënyrë të barabartë,
si në skamje ashtu edhe në bollëk, ashtu siç është
shoqërorizimi i agjërimit gjatë Muajit të Ramazanit?!
O agjërues besimtarë, Ramazani është largim nga
epshi e kënaqësia, lartësim shpirtëror dhe liri shpirtërore.
Sa bukur do të ishte sikur i tërë viti të ishte Ramazan,
nëse ky është koncepti i agjërimit!
Ramazani është muaji i burrërisë së proklamuar
që dominon mbi instinktet dhe i dëshirës së lartë
që funksionon vullnetarisht. Sa mirë do të ishte sikur Muaji
i Ramazanit ta bashkonte gjithë popullin e të mos mbetet askush
me burrëri të dështuar dhe me dëshirë të
parealizuar! Sa mirë do të ishte sikur Ramazani t'i bashkonte
njerëzit me agjërimin që përmban në vete burrëri
të proklamuar dhe dëshirë të lartë!
Ramazani është varfëri e obliguar sepse të gjithë
njerëzit në të janë të barabartë, ndiejnë
vuajtje të njëjta që dalin nga realiteti objektiv e jo nga
imagjinata iluzore. Nga vuajtjet lindë mëshira kurse nga mëshira
drejtësia! Sa e bukur do të ishte jeta sikur të gjithë
të kishin vuajtje dhe ndjenja të njëjta!
Sa e bukur do të ishte koha edhe sikur të ishte krejt Ramazan,
ngase ai (Ramazani) i realizon gjërat më të rëndësishme
në shoqëri: barabarësinë dhe rehatinë!
Nëse Ramazani është përkryerje, burrëri, edukatë
e dëshirës dhe socializëm praktik, atëherë a nuk
e shpallin publikisht muslimanët që nuk agjërojnë zhytjen
e tyre në epshe, largimin nga burrëria, dështimin në
mejdanin e dëshirës dhe luftimin kundër socializmit praktik?
A e fitojmë të drejtën që joagjëruesit e rritur
t'i quajmë "fëmijë të rritur", kurse fëmijët
agjërues "të rritur të vegjël?"
O fëmijët e mi të vegjël dhe o vëllezër
të rinj që e përjetoni vuajtjen e urisë, vapën
e verës dhe vështirësinë e etjes! Ju agjëroni
së bashku me prindërit tuaj dhe e vërtetoni burrërinë
dhe dëshirën tuaj!
Ju lumtë, sepse vatani me ju do të fitojë e jo me ata
të cilët dështuan para se të hynë në mejdanin
e luftës!
O vëlla besimtar!
Nëse Ramazani është ashtu siç u theksua, atëherë
e drejta jonë është të pyesim se a agjërojmë
me të vërtetë këto ditë apo a i përjetojmë
vuajtjet e urisë në ditët e Ramazanit e t'i mënjanojmë
nga ato që i përjetojmë gjatë tërë vitit?
A e ndalojmë ushqimin e trupave tanë që t'i mbrojmë
organet tona nga dëmtimi dhe armiqësia?
A ndjejmë në agjërim lartësinë e shpirtrave
tanë ashtu që të mos veprojmë siç kemi vepruar
para Ramazanit?
Muhammedi a.s. përgatitej para çdo Ramazani, jo me ushqim
e pije as me zbukurim e veshje, por me adhurim dhe devocion, bujari dhe
shpirtgjerësi, kështu që para Zotit xh.sh. shndërrohej
në rob respektues, para njerëzve në pejgamber të urtë,
kurse para vëllezërve dhe fqinjëve të tij në mirëbërës
dhe bujar aq shumë saqë disa shokë të tij thonin se
gjatë Ramazanit ishte më bujar se kurdoherë më parë...
Ashtu vepronin edhe shokët dhe pasardhësit e tij. Ramazani
për ta ishte koha kur shijonin erërat e parajsës (xhennetit),
fluturonin besimtarët në qiejt e të vërtetës dhe
ngriheshin zërat e falësve të namazit kundër tiranëve
keqtrajtues.
Pse nuk e përjetojmë Ramazanin ashtu siç e përjetuan
Pejgamberi dhe paraardhësit tanë? Pse nuk e shndërrojmë
në muaj të mirësisë ashtu që jeta jonë të
lulëzojë vetëm me mirësi, begati dhe lartësi shpirtërore?
Pse nuk e shndërrojmë Ramazanin në muaj të luftës
kundër dobësisë, injorancës, epsheve tona, kaosit tonë
dhe kundër çdo mëkatari e tirani në botë?!
O ju agjërues!
Ju jeni në luftë me epshet tuaja për shkak të grindjes
mes materies dhe shpirtit dhe duhet të keni kujdes që të
mos dështoni; keni kujdes që të mos keni uri ditën
për t'i mbushur barqet natën; keni kujdes që të mos
i ushqeni duart, sytë dhe gjuhën tuaj pas agjërimit me mëkate,
gënjeshtra e sharje!.
Keni kujdes që të mos jeni aktivë në veprat e këqija
dhe përtacë në adhurim! Keni kujdes prej të gjitha
këtyre gjërave sepse janë vepra të djallit e jo të
Rrahmanit (Zoti xh.sh.).
Shpejtoni në përkushtim!
Bëni vepra të mira!
Shijoni erërat e xhennetit!
Çoni sytë përpjetë kah qielli!
Ngreni shpirtrat tuaj nga kjo botë!
Përkujtoni gjithmonë thënien e Muhammedit a.s.: "Shumë
agjërues nuk fitojnë prej agjërimit të tyre pos urisë
dhe etjes", ose: "Agjërimi është mburojë dhe nëse
e nxitë ose e sulmon ndokush agjëruesin le të thotë:
'Unë agjëroj, unë agjëroj'."
O Zot, na bën prej agjëruesve të pranuar!
RAMAZANI, MUAJI I MIRËBËRJES
Para pak çastesh përfunduat iftarin dhe falënderuat
Zotin xh.sh. për ushqimin pas urisë dhe etjes. Iftari është
njëri prej dy gëzimeve që i ka theksuar Muhammedi a.s.:
"Agjëruesi ka dy gëzime: në iftar dhe në takimin me
Zotin e tij."
Gëzimi i përbashkët nga ushqimi dhe freskimi zakonisht
realizohet në mbrëmjet e Ramazanit sepse familja vështirë
bashkohet në ushqim e haje pos në Ramazan, bile nëse ndokush
mungon nga familja, mungesa e tij ndihet më së shumti në
ditët e Ramazanit.
Ju, o agjërues, në çdo mbrëmje të Ramazanit
përjetoni lumturi të papërshkruar, i falënderoheni
Zotit xh.sh. dhe kërkoni prej Tij që ajo lumturi të vazhdojë;
pra si e paramendoni vazhdimin e këtyre begative dhe si i falënderoheni?
Falënderimi për mirësitë nuk shprehet vetëm
me gjuhë por duhet të punosh që edhe vëllezërit
tu, të cilët jetojnë një jetë në skamje,
të të shoqërojnë në ato mirësi. Sa të
varfër ka që janë më të zgjuar e më të
mençur se të pasurit mirëpo ashpërsia e shoqërisë
dhe mosinteresimi shtetëror ua destinoi botën e mjerimit dhe
të problemeve elementare.
Pasi që mëshira për ta është e obliguar jashtë
ditëve të Ramazanit, atëherë gjatë këtij
muaji bëhet edhe më e obligueshme.
Pasi që shoqatat humanitare obligohen t'u ndihmojnë dhe t'ua
fshijnë lotët, pikëllimet dhe mjerimet e tyre, atëherë
muslimanët janë më të obliguar për t'i bërë
të lumtur e t'u ndihmojnë.
O ju njerëz, a nuk mendoni se numri i njerëzve të tillë
është shumë i madh?
A nuk mendoni se ata në shoqërinë tonë të
ashpër e të vrazhdë gjenden në çdo lagje, treg,
rrugë, fshat...?
Mos mendoni se të gjithë ata të cilët trokasin
në dyert tuaja dhe të cilët ju bezdisin me insistimet e
tyre nëpër rrugë janë të varfër sepse shumica
janë ekspertë në fjalë. Të mjerë dhe të
varfër janë ata të cilët nuk mund t'i ushqejnë
fëmijët me rrogat e tyre, gratë që s'kanë gjë
në vatrat e tyre, jetimat, refugjatët e ikur të cilët
për shkak të politikës diskriminuese, tradhtisë apo
faktorëve të tjerë e humbën pasurinë, u poshtëruan,
u shpërndanë nëpër rruzullin tokësor dhe erdhën
te ne që të kërkojnë lëmoshë për jetë.
Për ta sot duhet të kujtoni. Nuk them që t'u jepni lëmoshë
apo të bëheni zemërgjerë sepse këto janë
sjellje njerëzore, por them: "fshini mëkatet tuaja dhe të
tyre me ndjenjat e vëllazërimit, lidhjet fetare, mëshirën
dhe afërsinë fqinjësore".
Sikur të mos ishte vrazhdësia e shoqërisë, nuk
do të jetonin në mjerim të tillë. Nëse ata ndjejnë
idhëtinë e jetës një herë jashtë Ramazanit,
atëherë e ndjejnë shumë herë gjatë këtij
muaji.
O ju njerëz, ata janë fqinj tuaj sepse në çdo
lagje keni një ose më shumë familje të varfëra.
Paramendone mjerimin e tyre kur ju shohin se si hyni në shtëpitë
tuaja me lloj-lloj pemë, perime e ëmbëlsira, kur e ndjejnë
erën e mishit të pjekur dhe të gjellave për çdo
mbrëmje dhe kur i shohin fëmijët tuaj që dalin të
ngopur në rrugë për të luajtur. I ati i tyre ndien
dhembje në gjoks, nënës i rrjedhin lotët, kurse fëmija
qanë e vajton nga uria.
Kështu ju ushqeheni çdo ditë kurse ata kalojnë
natën të uritur...
Njoh një prind që ishte i pasur kurse fëmijët e
tij ishin mësuar me ushqim të mirë dhe veshmbathje luksoze,
mirëpo, për fat të keq pas një kohe përjetoi çastet
e vështira të mjerimit. U afrua Ramazani kurse ai s'kishte
të jep atë që e jepte më parë dhe kështu,
për shkak të turpit nuk dilte të kërkojë prej
njerëzve lëmoshë apo sadaka. S'kishte mundësi t'i ofrojë
familjes së vet diçka për të ngrënë pos
djathit, fasules dhe ullirit.
Fëmijët e tij duruan ditën e parë dhe të dytë
mirëpo në të tretën, fëmija i vogël i tha:
"O baba, na e mbytë barkun djathi dhe ulliri, ne agjërojmë
dhe kemi nevojë për ushqim të mirë e lëngje freskuese
në këtë vapë dhe do ta humbim vetëdijen nga erërat
e gjellërave të fqinjve tanë. Pse nuk na ushqen ashtu si
i ushqen fqiu ynë fëmijët e tij dhe ashtu si na ushqejshe
më parë?" Kështu, fëmijës i pikuan lotët,
kurse i ati doli në një vend të errët të shtëpisë
dhe filloi të qajë, sepse nuk dëshironte që zemrat
e fëmijëve të tij ta përjetojnë mjerimin e skamjes
nga vrazhdësia e njerëzve dhe dredhia e shoqërisë.
O ju agjërues të pasur! Ju keni gjellëra të ndryshme
e të këndshme për çdo mbrëmje. Diçka
prej tyre mund ta ushqejë të uriturin, t'i gëzojë të
mjerët dhe t'i fshijë pikëllimet. Pra, a mendoni për
fqinjët dhe të afërmit tuaj? A mendoni që të ndani
vetëm një gjellë prej gjellërave tuaja për familjen,
mjerimin e së cilës e njeh vetëm All-llahu xh.sh.?
Pasha Atë që e ka obliguar agjërimin për ta siguruar
barabarësinë njerëzore dhe mirëbërjen ndaj të
mjerëve e të varfërve, sikur çdo agjërues të
ushqejë ndonjë agjërues të varfër dhe sikur çdo
familje e pasur të ushqejë ndonjë familje të varfër,
nuk do të ekzistonte në shoqërinë tonë asnjë
i mjerë, i varfër ose fatkeq. Ramazani do të ishte muaj
i begatisë së pafundshme dhe ne do të ishim Ummeti më
i mirë në botë!
O agjërues, ndihmoni fqinjët tuaj, të afërmit dhe
vëllezërit refugjatë!
Keni kujdes që të mos e harroni mirëbërjen ndaj
tyre, lumturinë e tyre dhe shfrytëzimin e përbashkët
të begative të Zotit xh.sh.
O ju agjërues, kur të mblidheni me familjet tuaja rreth sofrave
tuaja plot me ushqim e pije kujtoni urinë e zorëthatëve
dhe vuajtjet e njerëzve si dhe binduni se Zoti xh.sh. nuk do ta pranojë
agjërimin e as adhurimin tuaj, po qe se afër jush jetojnë
njerëz të uritur që mund t'i ushqeni dhe të mjerë
që mund t'i gëzoni!
Muhammedi a.s. thotë: "Nuk më beson mua ai i cili fle i ngopur
dhe e di se fqiu i tij është i uritur."
O Zot, të lusim që të na dhurosh të mira të
llojllojshme dhe të falënderohemi për bagatitë që
na i ke dhuruar; na mundëso të bëjmë vepra të
mira dhe të hyjmë në parajsë me mëshirën
Tënde e të jetojmë me robërit e devotshëm!
NDIKIMI I ADHURIMIT (IBADETIT) NË EDUKATËN E POPULLIT
Popujt që duan të bëhen të famshëm dhe fisnikë
ndjejnë nevojën për një edukatë të posaçme
për fëmijët e tyre të cilët më vonë
do ta mbrojnë ideologjinë dhe mesazhin e tyre.
Karakteristikat më të rëndësishme të kësaj
edukate janë: "fuqia", "dashuria" dhe "modestia".
Me termin "fuqi" nënkuptojmë fuqinë e shpirtit dhe të
mendjes; me termin "dashuri" nënkuptojmë dashurinë ndaj
fëmijëve të popullit dhe bashkëpunimin e njohjen e
ndërsjellë me fëmijët e njerëzimit; me termin
"modesti" nënkuptojnë eliminimin e dallimeve klasore, gjegjësisht
të mos ketë i pasuri përparësi ndaj të varfërit
për shkak të pasurisë, njeriu i shtetit ndaj atij të
rrugës për shkak të pozitës së tij dhe të
mos mburren njerëzit me prejardhjen familjare, rrobat apo pasurinë,
por me punë të mira.
Nëse edukata e popullit përqëndrohet në këto
tri karakteristika, atëherë do të ketë rini e cila
do ta mbrojë nga sulmet e njerëzve qëllimkeqë dhe nga
rreziku i dekadencës dhe devijimit të brendshëm shtetërorë.
Për fat të mirë, sheriati ia ka siguruar popullit tonë
këtë lloj edukate për të formuar një rini të
tillë, edhe atë në bazë të parimeve fetare islame
që i ka caktuar. Namazi, agjërimi, haxhxhi dhe zekati në
realitet janë mënyra për edukimin e shëndoshë
që është i nevojshëm për jetën e çdo
populli nëse synon të jetojë i përkryer e fisnik.
O vëlla i sinqertë, eja me mua e t'i analizojmë këto
tri elemente islame dhe të shohim se a kemi nevojë për to
që të formojnë gjeneratë që i përballon kohës
me fuqi, lartësi dhe edukatë fisnike? Nëse e analizojmë
elementin e fuqisë në besimin islam do të shohim se abdesti
është fuqi për trupin dhe energji për shpirtin dhe
se qëndrimi i përbashkët i gjithë muslimanëve
para Zotit xh.sh. në një drejtim është fuqi që
vërteton qëllimin unik, pastaj përgatitja e rrugës
së drejtë dhe ngritja e kokës përpjetë, etj.
A nuk sheh se hyrja në namaz me himnin hyjnor të përhershëm:
"All-llahu Ekber (Zoti është më i madh)" paraqet fuqinë
e shpirtit, frymës dhe masës së popullit që ndien se
Zoti është më i madh prej çdo të madhi, më
i madhëruar dhe më i fuqishëm në botë se çdokush
tjetër që konsiderohet i fuqishëm dhe i madhëruar?
Pastaj a nuk shohim se thënia e besimtarit në namaz: "Vetëm
Ty të adhurojmë dhe vetëm në Ty mbështetemi" paraqet
betimin e fuqisë së besimtarit para Zotit se vetëm Atë
e adhuron dhe vetëm në Të mbështetet? Në këtë
mënyrë besimtari forcohet me Zotin para dobësisë së
vet në jetë dhe provokimit të epshit.
Pastaj qëndrimi në radhë të drejta pas imamit për
të dëgjuar leximin e Kur'anit, ligjëratat ose për t'u
falur gjithashtu prezenton fuqinë e bashkimit të popullit, fjalën
e përbashkët, zemrat e bashkuara dhe dominimin e respektit dhe
disiplinës.
Çfarë fuqie mund të jetë më e mirë
për popullin se kjo e namazit që ndjehet në shpirtin e muslimanit
pesë herë në ditë?
Nëse e analizojmë agjërimin do të vërejmë
se agjëruesi vullnetarisht u nënshtrohet vuajtjeve nga uria,
etja e lodhja. Kjo fuqi e dëshirës së tij për t'u përballuar
vështirësive në jetë nuk mund të krahasohet me
asnjë fuqi tjetër si dhe nuk e njeh dështimin apo disfatën.
Nëse e analizon haxhxhin, do të kuptosh se lundrimi mbi det,
hipja në tren e automjete tjera, ecja nëpër shkretëtirë,
lakuriqësia e kokës, gjoksit, krahëve dhe këmbëve,
qëndrimi nën diell, tavafi rreth Qabes dhe shpejtimi mes Safasë
dhe Merves paraqesin fuqinë e shpirtit, fuqinë e trupit dhe fuqinë
e dëshirës. A ka ndonjë edukatë shoqërore që
është më e mirë dhe më fisnike se kjo që
i bashkon të pasurit me të varfërit, të madhin me të
voglin dhe që e forcon Ummetin aq shumë saqë e anulon dobësinë,
dështimin dhe paaftësinë.
Edhe zekati përmban fuqi e dëshirë sepse dhënësi
ndanë nga pasuria e tij që e ka grumbulluar me lodhje e vuajtje
për vëllezërit e vet, dominon mbi koprracinë dhe dëshirën
për grumbullimin e pasurisë.
Ai që jep diçka vullnetarisht nga pasuria e tij e shtrenjtë
konsiderohet bujar më i madh.
Ky është elementi i fuqisë në besimin islam. Tash
të shohim elementin e dashurisë.
A nuk sheh se tubimi i muslimanëve për faljen e namazit është
faktor i dashurisë ndërnjerëzore? Ata tubohen në vendin
më të pastër dhe me qëllim më fisnik para Zotit
të botëve, të Gjithëmëshirshmit e Mëshirëbërësit...
Pasi i kaplon mëshira e Zotit, atëherë s'ka vend për
vrazhdësi, dëm e tirani.
Pastaj shih se si e përfundon muslimani namazin e tij me thënien:
"Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi ne dhe mbi të devotshmit
e Zotit". Ai në këtë rast përkujton botën e mirësisë
dhe vëllezërit e tij si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.
Kur del prej namazit thotë: "Paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin
mbi ju". Ai e fillon namazin me madhërimin e Zotit dhe e përfundon
me mëshirë e paqe të përhershme.
Njerëzimi ka shumë nevojë për një fuqi të
tillë të mëshirshme që i kaplon edhe popujt e shtypur
e të mjeruar në tokë.
A nuk të nxitë ndjenja për uri dhe etje gjatë agjërimit
që ta rikujtosh botën e uritur e të etshme? A nuk është
edukatë praktike e dashurisë pas dështimit të rregullave
dhe leksioneve teorike në realizimin e saj?
A nuk është haxhxhi dashuri ndaj Zotit xh.sh., Pejgamberit
dhe vendit ku lindi thirrja islame?
A nuk është dashuri ndaj njerëzve ngase braktiset shtëpia
dhe familja për t'u tubuar në një vend? Përsa i përket
elementit të modestisë, unë nuk shoh diçka më
të bukur se modestia e muslimanit kur përulet para Zotit xh.sh.
Kështu përulen të gjithë muslimanët - nuk ka kokë
mbi kokë as shpirt mbi shpirt por të gjithë janë një.
Gjatë faljes së namazit në xhami, shpirtit njerëzor
i kthehet autoriteti sepse aty të mëdhenjtë e ndjejnë
shpirtin popullor, sepse aty takohen me popullin krah për krahu e
fytyrë për fytyre. Sheriati në namaz ka caktuar barabarësinë
mes njerëzve sepse aty vërtetohet jeta e realtë.
O ju të rinj, a dëshironi fuqi? Ajo përfitohet në
bazë të adhurimit të Zotit të Madhëruar dhe përuljes
para Tij?
O ju të moralshëm, a dëshironi dashuri? Kjo realizohet
në bazë të namazit, agjërimit, haxhxhit dhe zekatit!
O ju socialistë, a dëshironi barabarësi? Kjo realizohet
në bazë të namazit, agjërimit, haxhxhit dhe zekatit
sepse njerëzit barabarë-so-hen, -trupat tubohen dhe duart bashkohen.
O ju reformistë, a dëshironi fuqi për popullin tuaj,
dashuri, barabarësi e modesti? Atëherë thirrni në adhurim,
nxitne devotshmërinë në popull dhe bëhuni të devotshëm
e adhurues!
INSTITUCIONI I ZEKATIT
Ramazani është afër përfundimit dhe ju përgatiteni
ta përcjellni me mirësi e mirëbërje. Në kohën
e fëmijërisë sime i vëreja njerëzit se si e përcillnin
këtë muaj me ndihma e kontribute, gjegjësisht me zekat.
Para se të afrohej gjysma e këtij muaji të pasurit i hapnin
sënduqet e tyre, e pastronin pasurinë dhe i hapnin dyert e të
varfërve me lloje të ndryshme bamirëse si në veshmbathje,
ushqim dhe të holla. Sa bujar ishte shpirti i muslimanëve
të atëhershëm përplot me bashkëpunim, ndihma dhe
kontribute. Ramazani i kishte kapluar zemrat dhe kishte çrrënjosur
urrejtjen, i kishte bashkuar duart dhe eliminuar koprracinë si dhe
e kishte kapluar pasurinë, e kishte zhdukur gjendjen e saj statike
sepse bartej prej një xhepi në xhep tjetër dhe prej një
shtëpie në shtëpi tjetër. Kur vinte festa, fytyrat
e njerëzve ishin përplot hare, trupat e tyre të veshur me
rroba të bukura dhe duart i zgjateshin njëri-tjetrit me dashuri.
Kështu e shihja lamtumirën e Ramazanit në kohën
e fëmijërisë sime dhe nuk e di se a ekzistojnë ende
këto tradita të bukura. Jam i bindur se besimi që i nxiste
etërit dhe gjyshërit tanë të japin zekatin dhe të
shpërndajnë mirësi në Ramazan ende ekziston në
shpirtin tonë dhe na nxitë të veprojmë ashtu siç
vepronin ata, eventualisht ta përfundojmë Ramazanin ashtu siç
e përfundonin ata.
Zekati nuk ka muaj të caktuar në Islam mirëpo ne shfrytëzojmë
një rast prej rasteve të adhurimit dhe një mënyrë
prej mënyrave të eliminimit të varfërisë e mjerimit.
Zekati në Islam nuk është sadaka (dhënie lëmoshë)
e as nafile, por është dhënie e obliguar për të
drejtën shoqërore, për lumturinë e shoqërisë
dhe për parimin islam që konfirmon se sado që të ketë
dallime mes njerëzve në pasuri, përsëri duhet të
mbretërojë parimi i përbashkët i nderit njerëzor
që e proklamon Kur'ani: "I kemi fisnikëruar dhe nderuar pasardhësit
e Ademit".
Zekati është e drejta e të varfërit që ka
aftësi për punë por s'e gjen dot apo s'mund të punojë
për shkak të ndonjë sëmurje ose pengese tjetër.
Zekati është e drejtë e klasave të nënshtruara
në shoqëri për ta shfrytëzuar frytin e mundimeve të
tyre, ashtu siç thotë All-llahu i Madhëruar në Kur'an:
"Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë,
për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë,
por nuk lypë)."
Është për t'u habitur se njerëzit e sotshëm
shkojnë kah socializmi me hapa të shpejtë ngase mendojnë
se ky është drejtimi ideal për mbrojtjen e nderit të
njeriut edhe atë pas luftërave, revolucioneve dhe zhvillimeve
që e ndërtojnë historinë. Njerëzit ende nuk kanë
vendim të prerë për kufijtë e këtij socializmi
apo për ndonjë mënyrë që e zhdukë mjerimin
dhe e realizon lumturinë.
Islami është ai që proklamoi parimin e barabarësisë
shoqërore para katërmbëdhjetë shekujsh në mënyrë
aq të qartë saqë askush s'mund ta mohojë. Pastaj ai
caktoi edhe metodën e tij duke e caktuar zekatin si një prej
karakteristikave të realizmit socialist. Zekati shumë herë
ka realizuar drejtësinë shoqërore dhe ka luftuar dukuritë
e mjerimit dhe vuajtjeve në shoqëri.
Si shembull, i Dërguari i Zotit e dërgoi Muadhin në
Jemen për ta mbledhur zekatin dhe për ta sjellë në
Medine që t'ua shpërndajnë të varfërve, dhe e
porositë kështu: "Po të dërgoj në Jemen për
ta mbledhur zekatin nga të pasurit e Jemenit dhe t'ua shpërndash
të varfërve", kurse Muadhi i është përgjigjur:
"Pasurinë e tubuar nga zekati ta dërgoj pas plotësimit të
nevojave të të varfërve derisa nuk mbetet tek unë asnjë
i varfër."
Edhe për Umer ibn Abdulazizin i cili i udhëzonte njerëzit
ta aplikojnë sheriatin, një funksionar i tij rrëfen kështu:
"I vizitonim njerëzit me sadakatë por askush s'i pranonte".
Mendoj se asnjë shtet socialist bashkëkohor nuk mund të
deklarojë se e ka eliminuar varfërinë dhe se nuk pranon
ndihmë monetare.
Nëse dëshirojmë ta zhdukin gjendjen e palakmueshme të
shoqërisë sonë dhe ta realizojmë barabarësinë
njerëzore, atëherë më mirë do të ishte t'i
kthehemi zekatit e ta përdorim si armë kundër mjerimit në
rrethin tonë, nga vrazhdësia dhe koprracia në një anë
dhe mjerimi e skamja në anën tjetër.
A nuk preferohet për ne, pasi që bëjmë përpjekje
të shpëtojmë nga kaosi, regresi dhe prapambeturia, që
t'i qasemi kësaj metode të siguruar me sheriat e të pamohuar?
Zekati është pasuri e madhe që grumbullohet nga shteti
e populli për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme,
ngritjen e standardit të familjeve të rrezikuara dhe sigurimin
e gjërave elementare për çdo qytetar.
Të gjithë jemi të bindur se kemi nevojë për
të, mirëpo ankohemi se kemi pak pasuri, gjithashtu edhe shteti,
shoqatat reformiste dhe apeluesit e drejtësisë shoqërore
ankohen...
Obligimi i zekatit është 2,5 për qind nga pasuria e
posaçme, kështu mund të paramendoni se sa është
pasuria e Damaskut, sa është zekati vjetor për të,
sa mund të ndërtojë spitale, shkolla, fabrika e shtëpi
për të varfërit, punëtorët dhe fshatarët
dhe sa mund ta ngritë standardin e qindra familjeve për çdo
vjet?!
Pse ta humbim gjithë këtë e të ankohemi?
Pse nuk e shfrytëzojmë këtë rregull të Islamit
pasi që kemi nevojë jashtëzakonisht të madhe për
të? Me këtë fjalim u drejtohem dy kategorive të popullit,
kategorisë që i takon ta jep zekatin dhe kategorisë së
udhëheqësve, prijësve dhe reformatorëve.
Sa i përket grupit që i takon ta jep zekatin e që e
përjeton obligimin e Ramazanit, lus që t'i besojnë Zotit
xh.sh., ta përcjellin rrugën e Muhammedit a.s, ta respektojnë
Librin e Zotit dhe ta japin zekatin e plotë aty ku e ka caktuar Islami
nëse dëshirojnë ta takojnë Zotin xh.sh. me zemër
të pastër e punë të mira. Pasuria juaj, kënaqësitë
tuaja dhe fëmijët tuaj nuk ju afrojnë me Zotin, nuk ju shënojnë
në histori e as që i hapin zemrat e dashurisë dhe respektit
të popullit, por ajo që ju ofron me Të është vepra
e mirë. Lumturia e popullit dhe përparimi i vendit tuaj ju shënojnë
në histori kurse dhënia e pasurisë që ua ka dhuruar
Zoti xh.sh. pa e mbyllur dhe pa e fshehur, ua hapë zemrat e popullit.
Kthejani këtij populli të mjerë të drejtën
e tij me pasurinë e zekatit që të shpërbleheni nga
All-llahu xh.sh., t'ju përmendë historia e t'ju respektojë
populli, sepse në të kundërtën do të ballafaqoheni
me revolucion shpirtëror që vlon në brendësi, qoftë
edhe nga duart e mëkatarëve! A pritni që pushteti t'ua merr
atë që ju refuzoni ta jepni ashtu siç veproi Ebu Bekri?
Unë gjithashtu i apeloj grupit të udhëheqësve,
prijësve dhe reformatorëve që të themelojë institucion
popullor të quajtur "Institucioni i Zekatit" të cilin do ta drejtojnë
njerëzit më të zgjedhur e do ta mbikëqyrë shteti
që të mos bëhet ndonjë shpenzim i kotë, që
do ta realizojë drejtësinë shoqërore dhe përparojë
standardin e jetës, arsimit, shëndetësisë dhe moralit.
O ju udhëheqës dhe burra të shtetit, nëse veproni
kështu, së shpejti do t'ia siguroni popullit tuaj fuqinë,
famën dhe autoritetin! Ju jetoni në botën që e organizon
dhe realizon barabarësinë mes njerëzve dhe nuk do të
mund t'i mëshironi njerëzit me botën e tyre të organizuar
e të drejtë sepse ata ju kanë paraprirë në të
kohë më parë, pos nëse shpejtoni dhe e realizoni barabarësinë
e Islamit, eventualisht të filloni me organizimin e të ardhurave
të zekatit.
Ky është një rikujtim për atë që e do
mirësinë dhe që dëgjon me vëmendje!
RAMAZANI FLET
Mesazhi i Ramazanit dërguar Ummetit fisnik
O bijtë e Ummetit fisnik!
Erdha tek ju dhe më pritët ashtu siç e pret populli
vizituesin fisnik me mikpritje të mirë dhe dashamirësi të
sinqertë, kurse disa të tjerë u tallën me mua dhe më
pranuan ashtu siç i pranojnë muajt e tjerë të vitit.
Unë erdha vetëm t'ju mësoj si të hyni në jetë
me armët e fitores!
Zoti i falënderoi popullit tuaj për mikpritjen e bukur dhe
e shpërbleu. Zoti i faltë ata që u vonuan pak me mirëbërje,
që dështuan në provimin e burrërisë dhe që
refuzuan shpirtin dhe simbolin e besimit, nëse besojnë në
Zot dhe në të Dërguarin e Tij.
Pasi që vizituesi obligohet ta falënderojë atë
që e pret me sinqeritet, atëherë unë ndiej veten të
obliguar që t'ju falënderohem me këshilla dhe porosi që
do të mjaftojnë për fisnikërinë dhe adhurimin
tuaj.
O popull i sinqertë!
Erdha tek ju pas përfundimit të luftimeve që u zhvilluan
gjatë votimeve. Këto luftime ishin të vërteta sepse
shkaktuan plagosje, gjakderdhje, intriga dhe armiqësi! Mjerë
për ju!
Popujt zhvillojnë luftëra me armiqtë e tyre dhe i pranojnë
të gjitha vuajtjet luftarake për ta kthyer nderin e tyre, t'i
shpëtojnë fëmijët, pra pse ju i zhvilluat këto
luftëra?
Disa që e ngritën flamurin e luftës do të përgjigjen
se ndjejnë obligim ndaj popullit dhe ndaj vatanit! Kjo përgjigje
do të ishte e bukur sikur të përputhej me realitetin, sepse
unë vërejta të vërteta që nuk përputhen me
realitetin si p.sh. ndjekja e të pafajshmëve, falsifikimi i dëshirës
së popullit, mbështetja në metodat e kolonialistëve
që e privojnë popullin nga të drejtat e veta dhe humbja
e dinjitetit dhe autoritetit të popullit.
Pra, e gjithë kjo u realizua nga duart e falsifikuesve! Nëse
është parlamentarizmi shprehje e mirësisë, atëherë
pse e aplikuan metodën e të keqes? Nëse është
për ngadhënjimin e të vërtetës, atëherë
pse u mbështetën në fuqitë e të humburve? A nuk
është vrasja e njeriut nga të ndershmit trima në mejdan
më e mirë dhe më e preferueshme se suksesi dhe fitorja me
armën e hajnave dhe horrave?
A u bëhet shërbim nëse akuzohen me fjalë që
e njollosin nderin e vendit? A i shërbejnë popullit nëse
e mbulojnë dështimin e tyre me rrena, mashtrime, fjalë triviale
edhe pse janë të vetëdijshëm për të kundërtën?
A është ky moral? A i harruan leksionet e historisë?
A nuk e kërkoi Aliu hilafetin, mirëpo kur u zgjodh Ebu Bekri
u bë një prej më të sinqertëve ndaj tij? A nuk
i lartësoi Halidi flamujt e Islamit mbi fortifikatën e Kisraut
dhe Kajserit, mirëpo kur e revokoi Umeri, vazhdoi të luftojë
me sinqeritet si ushtarë i rëndomtë për hir të
All-llahut, Zotit të botëve?
Nëse refuzoni të bëheni si etërit dhe heronjtë
tuaj të pavdekshëm, atëherë pse nuk merrni leksione
patriotike të sinqerta prej armiqve tuaj bashkëkohorë? A
nuk e udhëhoqi Çerçili popullin e vet deri në fitore,
mirëpo kur dështoi partia e tij në votime, ua dorëzoi
udhëheqjen shtetërore ngadhënjyesve, nuk i akuzoi kundërshtarët
për tradhti, as popullin për mosdëgjim, e as që dërdëllisi
para popullit se ai e udhëhoqi deri në fitore dhe sikur
të mos ishte ai do të humbte?!
Kjo ishte pika e parë o vëllezërit e mi, kurse e dyta
ka të bëjë me atë se ju jeni në fillim të
pavarësive dhe nuk dini si t'i mbroni, si t'i forconi dhe si t'i dëboni
armiqtë tuaj. Ju menduat se pavarësia do të thotë:
parlament, ministri, ambasada, civilizim dhe qytetërim! Jo, o bijtë
e mi, këto janë vetëm aspektet sipërfaqësore të
pavarësisë, kurse parimet e vërteta të saj janë:
burrëria, besa, pagjumësia, largimi nga mbështetja në
fat dhe në epshe, pra a i plotësoni ju këto?
Udhëheqësit tuaj ua kanë hapur dyert e mëkateve
dhe kanë lejuar realizimin e epsheve të shfrenuara, kurse ju
jetoni si të doni pa kurrfarë pengese, duke menduar se e tillë
është liria, apo, liria është kryesore në pavarësi!
Sipas tyre, kufizimi i epsheve është prapambeturi që kundërshton
progresin dhe qytetërimin, por deri kur kështu? Si mund të
fisnikërohet një popull nëse "zhvlerësohet" morali
i të rinjve, i mbushin kafenetë dhe bredhin nëpër rrugë?
Pasuria e shtetit është shkatërruar, pastaj shumica
është harxhuar në gjëra të nevojshme e të
panevojshme dhe janë ndalur shumë projekte të nevojshme
pra, ku është besa?
A është besë që të ardhurat e shtetit të
investohen nëpër klube, pronarët e të cilëve vetë
deklarojnë se i kanë formuar për ta tubuar klasën sunduese
rreth tavolinave me alkool, vallëzim e bixhoz; pastaj nuk ka mjete
për ndërtimin e shtëpive për pleq e as për t'i
tubuar ata që e turpërojnë kryeqytetin me rrobat e vjetra
duke lypur e jetuar në mjerim të madh.
A është ky besim, o përgjegjës të pasurisë
shtetërore?
Kanë depërtuar idetë destruktive në trurin e fëmijëve
tuaj, kanë hyrë duart e të huajve tinëzisht në
disa institucione dhe janë thelluar intrigat shkatërruese në
zemrat e masës suaj, pra ku është syçeltësia
e përgjegjësve? Ku është gatishmëria për
t'u përballuar këtyre ligësive të huaja, ku është
syçeltësia e përgjegjësve për zgjedhjen
e funksionarëve të shtetit? A nuk i kanë lënë
ndihmësit e kancelarëve dhe bishtat e kolonialistëve të
kullosin nëpër kolltuqe e administrata dhe të marrin rroga
të larta edhe pse prezentonin sytë, gjymtyrët dhe armët
e kolonializmit?
Zyrat janë mbushur me njerëz të njohur e të afërt
që janë të paditur, kurse ata të aftit dhe pronarët
e diplomave të larta mungojnë për shkak se nderi i tyre
nuk u lejon të poshtërohen!
A s'është kjo largim nga fati i shpirtit? Si mund të
përparojë shteti që formohet në bazë të mëkatit
apo si fitohet pavarësia që mbështetet në tirani, në
afirmimin e të paditurve dhe largimin e besatarëve?
Kjo ishte pika e dytë, o vëllezërit e mi, kurse e treta
ka të bëjë me zjarrin që ju kaploi nga të gjitha
anët kurse ju jeni të preokupuar me diç tjetër. Ja
ku është Palestina e cila është gati të shkëputet
nga duart tuaja dhe e cila ua tërheq vërejtjen për ndezjen
e zjarrit dhe shpërthimin e vullkanit? Ky është fillimi
i luftës mes arabëve të izoluar dhe hebrenjve të armatosur
deri në fyt. Ç'përgatitët për t'u ndihmuar vëllezërve
tuaj? Ku janë të rinjtë e stërvitur për luftë
dhe ku janë prindërit që i përgatisin fëmijët
e tyre për luftë? Ku janë të pasurit tuaj që i
hapin kapakët e sënduqeve të tyre. Ku janë udhëheqësit
tuaj që ndezin në zemrat e popullit zjarrin e zgjuarjes dhe gatishmërisë?
Të mjerët ne, ngase unë shoh vetëm thirrje të
kota dhe përgatitje sipërfaqësore të disa fëmijëve
e pas kësaj asgjë! Gjumë, tallje dhe shfrenim epshesh kurse
armiqtë ua japin zjarrin shtëpive tuaja!
Ja ku është Egjipti, i cili për shkak të antagonizmit
me Këshillin e Sigurimit, mund të poshtërohet nga të
pashpirtët e ta humbë të drejtën e vet, pra ju ç'keni
përgatitur për t'i ndihmuar në momentin e duhur?
Vëllezërit tuaj në Maroko, të cilët janë
afër tridhjetë milionë, trajtohen si robër, pra ç'është
përgatitur për t'ju ndihmuar?
A janë udhëheqësit tuaj me të vërtetë
të interesuar për nënshtrimin e armiqve?
Kjo ishte pika e tretë, o vëllezërit e mi!
Pasha Zotin, më vjen keq për ju që ende të numëroj,
edhe pse kam shumë shembuj...
O bijtë e mi!
Ju tash përjetoni mospajtime të hatashme që do t'ju
shkatërrojnë. Unë nuk jam pesimist dhe jam i sigurt se nëse
përgatiteni, do të fitoni. Fitoren e kanë vërtetuar
etërit tuaj në betejën e Bedrit dhe në kohën e
Salahuddinit, i cili e çliroi Jerusalemin dhe i dëboi kryqtarët...
Besoni, o fëmijët e mi, se armë e fitores së tyre
ishte vetëm "imani dhe morali". Imani e kompensoi mungesën në
përgatitje e numër kurse morali shkaktoi dështimin e armiqve
të tyre.
O bijtë e mi! Në luftë fiton morali burrëror, gjaku,
plumbi, baruti dhe pagjumësia në hendeqe e jo ngjyra e kuqërremtë,
lavdërimi i fytyrave dhe dhuratave e as pagjumësia në klube,
mëkate e kurvëri.
O bijtë e mi! Ju jeni më të mirët e popullit, e
përcjellni udhëheqësin më të madhëruar, mbani
mesazhin më të lartë, trashëgoni qytetërimin më
fisnik, mbroni vatanin më të shtrenjtë dhe i përballoni
armikut. Për këtë, ose ta pranoni përgjegjësinë
e të shpërbleheni me jetë më fisnike dhe me famë
të amshueshme ose "s'ka dyshim se All-llahu do të sjellë
një popull që ai e do atë (popull) dhe ata e duan atë
(Zotin), (një popull) që është modest e i butë
ndaj besimtarëve por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve,
që lufton në rrugën e All-llahut dhe që nuk i frikësohet
kërcënimit të asnjë tirani."
Lamtumirë, o bijtë e mi, ju këshillova dhe ua tregova
qëllimin tim; do ta mbani në mend atë që ua thash e
unë tash i mbështetem Zotit!
Ramazani thotë:
Nëse dëshiron të njohësh madhështinë
dhe kulturën e ndonjë populli, hulumto udhëheqësit,
rolin e tyre në të dhe shërbimin e tyre dhe atë me
një precizitet të madh ashtu që nuk do të mashtrojë
zbukurimi sipërfaqësor.
Nëse dëshiron ta njohësh vlerën e udhëheqësve,
bëj një krahasim mes fjalëve dhe veprave të tyre, mes
të kaluarës së tyre dhe të tashmes dhe mes lidhjeve
të tyre me popullin, e nëse i gjeni më të shpejtë
në vepër se në fjalë, të njëjtë si në
të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, stabilë
në parimet e tyre prej fillimit deri në mbarim, respektues të
popullit dhe interesit të përgjithshëm, atëherë
atyre u takon respekti, nderi, dashuria dhe vlerësimi.
Nëse dëshiron të hulumtosh moralin e popullit, pastërtinë,
nderin, diturinë, ëndrrën, fisnikërinë dhe besën
e tij apo të kundërtën, atëherë shih moralin e
udhëheqësve të njohur sepse vetëm kështu do të
zbulosh çdo gjë.
Nëse dëshiron ta njohësh sinqeritetin e udhëheqësit,
hulumto mendimin e armiqve dhe sjelljen e tyre me të. Nëse e
quajnë armik të ndershëm dhe nëse e trajtojnë
si armik kokëfortë e të rrezikshëm, atëherë
ai është i cili qëndron me sinqeritet para popullit, jep
shpirtin dhe sakrifikon trupin.
Nëse dëshiron të njohësh se cili udhëheqës
është më i dobishëm për popullin e vet, shiko
ate që e mbron të vërtetën, ofron bashkëpunim,
harron egoizmin, shkelë mbi epshet e veta dhe mbi pozitën shtetërore
në rastë se e thërret xhihadi për shpëtimin e
vendit. Udhëheqësi i tillë e ka arritur kulmin e udhëheqjes,
jeta e tij është pasuri për popullin, xhihadi i tij konsiderohet
mëshirë për masën kurse humbja e tij që është
goditje për vatanin, plotësohet vetëm me ndonjë njeri
të ngjashëm me të.
Kështu vlerësohet madhështia e popullit, moralit dhe
udhëheqjes së tij. Ky vlerësim është i saktë
dhe i vërtetë sepse qysh para katërmbëdhjetë shekujsh
e deri më tash nuk ka qenë i gabuar asnjëherë.
Thashë: "Ti e ke parë të kaluarën e të tashmen
si dhe e ka parë me sytë e tu famën e Islamit dhe dështimin
e tij, pra, çfarë rezultati jep vlerësimi yt i popullit
tonë dhe i udhëheqësve tanë të sotëm?"
Mori frymë thellë e tha: "Mjerë për popullin tënd
dhe mjerë për udhëheqësit e tij! Do të humbin
të dy, udhëheqësi dhe i udhëhequri".
Më pyet për popullin tënd dhe udhëheqësit
e tij, e unë të përgjigjem se populli është ashtu
siç duan udhëheqësit të jetë, dhe se gjykimi
për të mirë ose për të keq mvaret nga udhëheqësit
që veprojnë ashtu siç duan! Udhëtova nëpër
botë, në të kaluarën e në të tashmen dhe
pashë shumë popuj që u zhvilluan e pastaj u zhdukën,
mirëpo nuk pashë gjë më të çuditshme se
udhëheqësit tuaj bashkëkohorë. Udhëheqësit
e popujve të botës janë syçelë para fatkeqësive,
respektues të betimit, kanë mendje të zhvilluar dhe veprime
të matura, i analizojnë çështjet me përpikshmëri
dhe e udhëheqin popullin kah e vërteta e qartë; në
rast nevoje të gjithë bashkohen dhe nëse ndjejnë rrezikun
nga armiku tubohen e i përballojnë bashkërisht, sakrifikojnë
shpirtin dhe pasurinë për hir të popullit me dëshirë
dhe bindje të plotë; lodhen që populli i tyre të jetojë
në lumturi, mundohen që vendi të gëzojë kënaqësi
dhe vdesin që populli të jetojë.
Udhëheqësit e vendeve tuaja u zhvilluan në mesin e një
populli të lodhur nga katastrofat e kohës, të përçarë
nga turbullitë e fatit dhe të deformuar nga politika e udhëheqësve.
Pastaj, ata e panë me sytë e tyre vazhdimësinë e problemeve,
armiqësinë kundër të drejtave të popujve dhe lojën
e intrigave, gjë që mjafton ta ndezë zjarrin e xhihadit
në zemrat tyre, ta ngjallë ndjenjën e përgjegjësisë
së madhe dhe t'i nxitë për shpëtim e reformë me
sinqeritet e iman derisa ta shpëtojnë popullin nga kthetrat e
të huajve, ta nxisin mbrojtjen e nderit dhe famës, të ndërtojnë
një shoqëri të re që përqëndrohet në
zgjuarje, moral e devotshmëri dhe ta sigurojnë pozitën në
hapësirën e nënqiellit. Por si vepruan udhëheqësit
tuaj?
Pasha Zotin, u tmerrova nga veprat e tyre... Nuk dua të t'i theksoj
tash veprat e tyre që do t'i gjykojë historia, por, pash Zotin,
a nuk i dehën nervat e popullit dhe a nuk e eliminuan gatishmërinë
e tij për luftë? A nuk i përçanë intrigat e
armiqve dhe dëshirat për pushtet? A nuk e larguan popullin prej
rrugës së mirësisë, fesë, jetës dhe fuqisë
në rrugën e shtrembët e të dështuar, fillimi i
së cilës është epshi, mesi mjerim kurse fundi nënçmim
e poshtërim?
A nuk ndikoi kënaqësia e komoditetit në vështirësitë
e xhihadit kështu që filluan ta preferojnë luksin dhe mendjelartësinë
e rrejshme mbi jetën askete dhe luftimin në rrugë të
Zotit? A nuk u përçanë edhe pse shteti jetonte në
mjerim kurse populli në vuajtje?
Shiko..., ata luftojnë njëri-tjetrin me armiqësi të
ndërsjellë dhe e fyejnë nderin e njëri-tjetrit kurse
armiku, i cili qëndron ulur mbi gjokset e tyre dhe ka pushtuar vendin
është armatosur me armë, qëndron anash dhe qeshë
me ironi!
Mjerë për këtë ndryshim të deformuar dhe për
këtë rrugë të keqe!"
Ramazani tha: "Ndoshta të habitë kjo revoltë e imja
kundër udhëheqësve tuaj, dhe mund të thuash se qëndrimi
im është i përgjithshëm dhe se më mirë do
të ishte sikur të mbështetesha në specifikim,
mirëpo unë dëshiroj që ti ta dishë plotësisht
se populli yt ende ndien varfëri në udhëheqësit e vet
dhe se ka nevojë vetëm për një udhëheqës
që i plotëson të gjitha kushtet e udhëheqjes dhe qeverisjes!"
Thashë: "Tash, o Ramazan, na trego mendimin tënd në
këtë natë të errët!"
Ramazani tha:
"Dëgjomë, Zoti të bekoftë! Gjatë shëtitjes
sime të mbrëmshme nëpër shoqëritë agjëruese,
shënoja në ditarin tim, dhe kur, papritmas, pashë një
djalosh trupgjatë, të hollë e fytyrëkuq që ishte
ulur në një dhomë prej të cilës dilte një
dritë e vogël para vitrinave të librave, kurse afër
tij, sipas mendimit tim, ishte ulur shoku i tij. U afrova pranë tyre
për ta dëgjuar bisedën e tyre.
Djaloshi iu drejtua shokut të vet me një zë të
fuqishëm e me entuziazëm të plotë dhe i tha: "Ne jemi
popull i njohur me etërit tanë dhe me famë të lartë,
pra mëkat është t'i nënshtrohemi Perëndimit dhe
vrazhdësisë së tij! Populli ynë udhëhoqi botën
dhe mëkat është që të na sundojnë sot ata
që kërkonin dje ndihmë prej nesh! Në damarët e
popullit tonë ende rrjedh gjaku i krenarisë dhe mëkat është
të pushojmë! Popullin tonë e lanë pa gjumë ngjarjet
e kohës gjersa u zbardhën bebëzat e syve dhe mëkat
ështe të mos mundemi ta aplikojmë atë që e mësuam!
Popullin tonë e udhëheqin udhëheqës fatkeqë dhe
mëkat është të mos ua tërheqim vërejtjen!
Populli ynë është ende i gjallë dhe i fuqishëm,
pra duhet t'i udhëzojmë udhëheqësit ashtu siç
mendojmë ne e jo siç mendojnë ata".
Ramazani tha: "Duke i dëgjuar ata, m'u rrëqeth trupi dhe
u binda se xhungla është ende e mbushur me luaj dhe se populli
që ka një djalosh të tillë me iman, besim e entuziazëm,
asnjëherë nuk vdes.
Problemi më i madh është ai i udhëheqësve,
pra a mund t'ua përcjellish porosinë dhe thirrjen time?"
Thash: "Si urdhëron!"
Thuaju udhëheqësve tuaj: "Pasi që mirësia dhe fuqia
ekzistojnë a do të mundeni ta ringjallni me sinqeritet mirësinë
dhe ta nxjerrni fuqinë prej thellësirave për ta ngritur
famën e popullit?"
Thuaju udhëheqësve tuaj: "Pasi që populli ju ka besuar
dhe ju ka ndihmuar, atëherë kjo përçarje e juaj është
prerje e dorës së tij (popullit) dhe thikë në zemër.
Si e preni dorën që ju ndihmoi dhe si e shponi zemrën që
ju don?"
Thuaju udhëheqësve tuaj: "Ai që nuk mëson nga përvoja,
është i marrë; ai që nuk preket nga ngjarjet, është
i dobët; ai që vrapon pas epshit, është vetëvrasës;
si mund të prijë apo të udhëheqë ai që është
prej tyre?"
Ramazani tha: "Kjo ishte biseda ime e sotme me ty, ndoshta herën
tjetër do të flas diçka tjetër!"
faqja
3 nga 4 |
 |